Kosova
Serbisë i hapen dyert, Kosova në faqen e fundit të listës europiane
Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill beson se njohja de jure e Kosovës nuk do të jetë kusht për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian.
Duke folur për Marrëveshjen e Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ai tha se ajo “përcaktoi disa fusha” në të cilat dy vendet duhet të përqendrohen dhe përmendi se “njëra prej tyre është nevoja për te krijuar asociacionin”
“Kjo gjë nuk ka filluar me Ohrin. Ka rreth 11 vjet dhe mendoj se është koha për ta zbatuar asociacionin, por që në kontekstin e zbatimit ka një pasqyrë të qartë për serbët që jetojnë në Kosovë. Ka edhe elementë të tjerë që duhet të adresohen, përkatësisht normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe besoj se kjo mund të bëhet dhe duhet të bëhet në kontekstin e rajonit. Rajoni i Ballkanit po fillon të ketë gjithnjë e më shumë modele bashkëpunimi midis vendeve, dhe shpresoj se mund të realizohet, por sinqerisht, jam i zhgënjyer që nuk mundëm të bënim më shumë” – tha Hill në një intervistë në mediumin serb, NIN.
Marrëveshja e Ohrit përmban njohjen ‘de facto’, por i pyetur se a nevojitet njohja zyrtare që Serbia të hyjë në BE, Hill tha se europianët kërkojnë normalizim, ndërsa përmendi se në Unionin Europian ka edhe vende tjera që s’e njohin Kosovën.
“Ajo që europianët kërkojnë është pikërisht ajo që ata thonë se kërkojnë, që është normalizimi. Ata duan paqe dhe siguri në rajon, dhe specifikisht mes Kosovës dhe Serbisë. Unë mendoj se ata e kanë thënë shumë qartë se ka anëtarë të Bashkimit Europian që nuk e njohin Kosovën, kështu që çështja e vërtetë është të përpiqemi te arrijmë normalizimin ku kufij nuk do të jenë ato që ndajnë, por kufij që bashkojnë, dhe shpresoj që njerëzit ta kuptojnë se çfarë po themi për të ardhmen dhe si do të duket jeta e njerëzve. Do të doja të shihja shumë më tepër përparim në këtë front të normalizimit, dhe është e qartë se BE-ja ka gjithashtu këtë në mendje”- tha ambasadori
Hill gjithashtu u shpreh se SHBA-ja e mbështet cilindo vend që ka aspirata të anëtarësohet në BE, dhe tha se “kjo është pikërisht ajo që bëjmë në Serbi”.
“Serbia ka gjëra për të bërë në fushën e sundimit të ligjit dhe çështje të ngjashme, por detyra jonë është që të përpiqemi ta ndihmojmë Serbinë në këtë përpjekje, sepse mendoj se është mjaft e qartë se Serbia do të jetë në Bashkimin Europian në të ardhmen” – potencoi ambasadori amerikan ne Beograd.