Connect with us

DOSSIER

Zbardhet misteri, ja çfarë ndodhi me notarin italian qe nuk mundi te kalonte me not Otranton

NGA UVIL ZAJMI

Memorie.al / Avokatja shqiptaro-australiane, Eva Buzo, që ka vendosur të përshkojë me not distancën prej 91 km. nga Otranto në Vlorë, nuk është e vetmja që po tenton këtë aventurë. Plot 38 vite të shkuara, një tjetër personazh i njohur në sportin e notimeve të gjata, Paolo Pinto, tentoi ta realizonte këtë gjë. Po si u projektua për herë të parë kalimi me not i ngushticës? Cili ishte Paolo Pinto, nga nisja, koha e keqe, rikthimi në det dhe pritja madhështore që iu rezervua italianit? Pastaj dëmtimi në dhomën e hotel “Adriatik” dhe largimi pa koment. Si e përcolli shtypi, media televizive ngjarjen? Ja detajet e asaj që mund të konsiderohet e jashtëzakonshme për kohën.

Marrëdhëniet sportive Shqipëri- Itali kanë pak histori, pak përballje, edhe pse ato duhet të ishin shumë më intensive. Për shumë faktorë, nga të cilat veçojmë afërsinë gjeografike, shkëmbimet ekonomike, sociale, njohjet reciproke, simpatitë etj. Nga njëra anë shortet sportive jo shumë të favorshme dhe, nga ana tjetër, sistemi politik në Shqipëri, jo dashamirës në shkëmbimet jo vetëm sportive, por edhe në fusha të tjera. Ndonëse para lufte ato ishin më të shumta në disa disiplina sportive, pastaj heshtje.

Të fundit që kanë mbyllur këtë lidhje, kanë qenë futbollistët Loro Boriçi, Sllave Llambi, Riza Lushta, apo Naim Kryeziu e Vasfi Biçaku, të cilët luajtën në Itali dhe Xhakomino Pozeli, portieri i Kombëtares shqiptare, kampione e Ballkanit në vitin 1946. Deri në vitet ’90-të, asnjë shkëmbim i rëndësishëm, shumë pak kontakte zyrtare e jo të tilla, nga të cilat kujtojmë ndeshjet me ‘Virtus’, ‘Oransodën’, ‘Ruinin’, ‘Klipan’, Futboll Club ‘Torinon’, ‘Sinudinen’, ‘Banco Rama’, ‘Skuib’ apo sfidat me kombëtaret U-21. Pas viteve ’90-të, afruan të tjera si ‘Teuta’-‘Parma’, apo ‘Vllaznia’- ‘Napoli’ në futboll.

Edhe ‘Milan’, Roberto Baxhio e Xhani Rivera’ erdhën në Shqipëri, por ngjarja e veçantë’ ishte kur “Italia 82”’ me Paolo Rosin, Savoldin, etj., luajti në “Qemal Stafa” me Kombëtaren shqiptare “Over 35”. Por, gjatë një gjysmë shekulli, ka pasur tentativa, apo dëshira për të realizuar diçka më shumë se e pamundura.

Kanë qenë të pakta, sporadike, individuale dhe jo me një strategji, apo organizim të mirëfilltë institucionale. E tillë mbetet ajo e notarit italian Paolo Pinto, që tentoi, por nuk mundi ta realizonte kalimin e ngushticës së Otrantos, largësinë Brindizi-Vlorë me not. Një ngjarje e veçantë për kohën, e cila i takon qershorit të vitit 1985…!

Asnjë tentativë më parë

Nisur nga distanca, që duhet konsideruar e madhe dhe e vështirë, në harkun e shumë dekadave, askush nuk ka mundur apo tentuar t’i përshkojë me not, të 73 km, që e lidhin Brindizin me Vlorën. As notarë shqiptarë, por edhe as të huaj. Kushtet e një deti, apo rrymave jo të favorshme, ndoshta ishte njëra anë. Por, kryesisht mbyllja, numri i paktë i aktiviteteve e marrëdhënieve midis dy vendeve, i kufizuar në ekstrem nga politika, nuk i jepte mundësi askujt që të merrte iniciativën dhe më pas të provonte një ndërmarrje të tillë.

Por, pas një ideje individuale dhe tentativave zyrtare të bëra nga Federata Italiane e Notit, drejtuar federatës shqiptare, Komitetit Sportiv Shqiptar dhe me ndërhyrjen e ambasadës italiane, u bisedua dhe u vendos që notari italian Paolo Pinto të lejohej të përshkonte distancën Brindizi-Vlorë. U caktua edhe data, që do të ishte 27 qershori i vitit 1985…!

Rregullorja e garave

Kalimet individuale, të vlerësuara si të tilla nga Rregullorja e Federatës Ndërkombëtare të Notit, kanë lidhje dhe janë të njëjta me garat në ujërat e lira: Asnjë kontakt apo mbështetje te barka shoqëruese, asnjë tërheqje prej saj, asnjë mbështetje dhe ndihmë nga mjete të sofistikuar ndihmëse. E veçantë në këto gara, por jo e shkruar në rregullore, janë “tre hapat e fundit”, kur prek token, pas të cilave kronometri ndalat. Gjithashtu notimi, do të konsiderohet i vlefshëm, nëse notuesi e bën i vetëm dhe pa ndihmën e një notari tjetër, që noton bashkë me të. Është e detyrueshme prania e një zyrtari nga federatat reciproke që bën kronometrimin, në të kundërtën, rezultati nuk njihet. Vetëm kur ushqehet qëndron në vend, merr ushqimin, por pa pasur të drejtë të prekë anijen apo varkën shoqëruese.

Cili ishte Paolo Pinto?

Paolo Pinto, i diplomuar në drejtësi, ishte nga Pulja dhe jetonte në Bari. I datëlindjes 1937, me një fizik shumë sportiv, i gjatë 1.79 m., fillimisht në rininë e tij ushtroi sportin e basketbollit. Më vonë iu dedikua notit, duke preferuar largësitë gjysmë të thella.

Ishte pikërisht kjo disiplinë sportive, që e shtyu në vitet ’70-të, të ndryshonte garimin dhe t’u kushtohej kalimeve të distancave të gjata me not. Nga ato më të famshmet, është dy herë ajo e La Manshit (33 km.-11 orë) në shtatorin e vitit 1979, ajo Kastro Marina-Fanos, Greqi, (91 km. në 41 orë) dhe Korsika-Elbë (71 km. për 30 orë notim).

Paolo Pinto, ishte i pari që ndërtoi dhe përdori kafazin anti-peshkaqen, që për kohën përbënte një risi në veçanti për aplikantët e këtij sporti. Në Shqipërinë e mbyllur, informacioni dhe njohja për Pinton, ishte e paktë, madje asgjë e saktë, pasi nuk dihej cili ishte, karriera, etj. Kur u fol se një italian do të nisej nga Bari, me not për në Vlorë, pakkush e besoi.

Për të gjithë një nismë e tillë, ishte utopi dhe e parealizueshme për disa faktorë. Por, jo për italianin dhe stafin e tij, që kishte kohë që përgatitej, i sigurt që do e realizonte këtë kalim, edhe pse vështirësitë atmosferike, mund të ishin një rrezik evident për të. Dhe fatkeqësisht ashtu ndodhi!

Tentativa e parë, koha e keqe e pengon Pinton

E enjte, 27 qershor 1985, ora 09:00. Në pikën e quajtur Torre del Serpente, ka shumë njerëz, shumë specialistë, gazetarë dhe njerëz kureshtarë. Lajmi se si notari puljez, 48-vjeçari Paolo Pinto, do të kalojë me not ngushticën e Otrantos, i ka shtyrë të gjithë banorët e zonës të jenë aty. Pas ceremonisë, kur akrepat po shënojnë orën 10:00 Pinto, i shoqëruar nga një grup me mjekë, notarë, ka filluar aventurën, e para dhe i pari që po tentonte të përshkonte distancën Brindizi-Vlorë. Shtypi bën të ditur se notari, nuk do të ndalojë në Vlorë, por në një pikë më të afërt, e quajtur Kepi i Karaburunit.

Gjithçka është normale, deti i qetë, por në orët e para pas mesnate, të datës 28 qershor, ndërsa ka bërë më shumë se gjysmën e rrugës (rreth 42 km), gjithçka ndryshon, kushtet atmosferike përkeqësohen shumë, era ka forcën maksimale dhe notimi është i pamundur. Madje për shumë kohë, barka ndihmëse ka humbur kontaktin me Pinton, të cilin e ri gjejnë vetëm pas 20 minutash.

Kështu ekipi vendos ta ndalojë garën dhe pas 20 orë në ujë, në orën 5 të mëngjesit, Pinto, detyrohet ta ndërpresë përfundimisht notimin dhe të “dorëzohet” para forcës së detit. Në breg e presin të shqetësuar dhe kujdesi në veçanti i masazhatorit të njohur Ali Kastrati, i ardhur nga Tirana, është në maksimum. Por, ende nuk ka përfunduar këtu. Pasi ka mbërritur në Vlorë, ka qëndruar disa orë në hotelin “Adriatik”, nisur nga dëshira e madhe për të realizuar objektivin, ai vendos po atë ditë të rikthehet në det e ta rinisë sërish garën.

Këtë herë jo aty ku e la, por nga Kepi i Karaburunit, deri në Vlorë, një distancë e gjatë njëzet kilometra. Në një paradite me diell, kohë të mirë e të qetë, ai hidhet në ujë, rifillon notimin dhe pas gjashtë orësh arrin në bregdetin vlonjat, në afërsi të portit (Moli Zero), ku e presin me shumë interes, që për vlonjatët ishte një eveniment jo i zakontë. Madje, kurioziteti për të takuar e parë jo vetëm notarin, ishte më shumë për kafazin anti-peshkaqen, që përbënte një mekanizëm të habitshëm dhe interesant për të pranishmit.

Pritje zyrtare në Vlorë

Ngjarja që një notar i huaj, të lejohej të vinte me not në Shqipëri, nga Italia, ishte jo e zakontë për kohën. Madje ishte e rrallë dhe organizohej vetëm dy muaj pas vdekjes së Enver Hoxhës, kur situata politike, ishte tejet e tensionuar. Asnjëherë në të kaluarën e afërt dhe të largët, nuk kishim pasur një eveniment të tillë, dhe as që mendohej.

Sidoqoftë, në Vlorë e kanë pritur e nderuar si fitues. Ishte hera e parë që një notar Italian, vinte nga deti me not, të shkelte tokën shqiptare. Drejtues partie, gazetarë, telekronistë, por edhe zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, morën pjesë në ceremoninë e ardhjes së Pintos dhe grupit të tij shoqërues.

Është e premte, mesditë. Vlonjatët janë të shumtë e bashkë me ta edhe ambasadori italian, Françesko Karlo Xhentile, i pranishëm në këtë festë sportive, që për kohën mund të konsiderohej edhe si një sinjal hapës me fqinjët. Pastaj vizita të organizuara. Fillimisht në një ndeshje basketbolli, ku luajnë vajzat e Flamurtarit.

Më pas, në një nga fermat frutore të qytetit të Vlorës. Por edhe shtypi i kushtoi një vëmendje të madhe dhe në “Sportin Popullor” të datës 2 korrik të 1985, gjejmë një material të gjatë të gazetarit të njohur, Besnik Dizdari, të shoqëruar me foto të Petrit Omerit.

Edhe në TVSH nga gazetari i njohur Vladimir Grillo, ka një minutazh lidhur me këtë ngjarje, i cili ka mundur ta ndjekë nga afër atë. Me një motoskaf të ushtrisë, ai dhe operatori, e kanë pritur duke e xhiruar notimin e tij nga Gjiri i Karaburunit, deri në Vlorë. Pra, ndryshe nga rastet e tjera, ndoshta edhe më të rëndësishme, pati më shumë vlerësim e angazhim të gjithanshëm.

Çfarë ndodhi me Pinton para largimit

Diçka ka ndodhur para largimit të tij nga Vlora. Ngjarja ka mbetur e pa treguar saktësisht, edhe pse nuk kaloi pa u diskutuar në mjediset sportive. Ndonëse nuk kishte më asnjë plan, apo tentativë për të realizuar me not distancën (u mendua njëherë se rikthimi mund të bëhej me not nga Vlora në Brindizi, por jo, Pinto nuk e kishte në agjendë këtë projekt). Për të, tashmë kjo aventurë kishte përfunduar e parealizuar. Pas disa ditësh qëndrimi në Vlorë, ai kishte programuar largimin me avion. Por, ndërsa ishte duke pushuar në dhomën e tij në hotel “Adriatik”, tentoi për një çast të mbyllte perden.

Hipi në karrige dhe u rrëzua prej saj, apo i ra korniza e perdes në shpatull. Fakti është se trajneri i tij, e ka gjetur të gjunjëzuar në dhomë. Me shpejtësi i është dhënë ndihma mjekësore në spitalin e Vlorës. Pastaj asnjë koment, heshtje dhe Pinto është larguar i shoqëruar për në Rinas. Nga ajo kohë deri më sot, ato pak dëshmitarë që e kanë shoqëruar nga afër dhe e kanë parë çfarë ka ndodhur, kanë një paqartësi. I tillë pa koment ka mbetur ky fakt, madje edhe nga shtypi i huaj, pasi Pinto nuk dëshiroi ta komentonte më gjatë, çfarë i kishte ndodhur duke e marrë me vete misterin.

Largimi nga garat dhe jeta

Me një karrierë të pasur sa i përket kalimeve të rëndësishme të distancave të gjata, Paolo Pinto, ka mbetur si një nga protagonistët më të mëdhenj të historisë së notimit italian. Pas viteve `90-të, edhe aktiviteti i tij filloi të ishte më i reduktuar. Pak tentativa, pak kalime, jo më gara të lodhshme. Pastaj angazhimi në fusha të tjera ekstra-sportive, si ato të bamirësive në veçanti, do të ishin më parësore për të. Në vitet e fundit nuk pranoi të përballej në gara dhe me kundërshtarë, pasi e kuptonte që gjithçka po ndryshonte, evoluonte dhe ai nuk ishte më si më parë.

Pinto kishte bërë një zgjedhje të saktë pikërisht në një moment deciziv të karrierës së tij sportive. Në vitin 2004, në moshën 67-vjeçare, ai u nda nga jeta, por la pas kontributin e një njeriu, si pak të tjerë, në një sport të rëndësishëm, si në aspektin sportiv, por sidomos në atë njerëzor. Edhe për ne shqiptarët, ishte personazhi që u bë i dashur dhe për kohën simbolizoi njeriun, që pati guximin të sfidojë mbylljen hermetike, duke bërë realitet një ëndërr, falë forcës, dëshirës dhe pasioni i tij.

Nga qershori i vitit 1985, kanë kaluar plot 38 vjet dhe deri  para dy ditësh që u dha lajmi për shqiptaro-australianen Eva Buzo, askush nuk ka mundur të marrë iniciativën ta provojë distancën, edhe pse sot ka mjete shumë më moderne dhe që mundësojnë pa shumë vështirësi një kalim të tillë.

Ajo e Pintos, do të mbetej unike për të dy vendet, në aspektin e marrëdhënieve sportive Shqipëri-Itali, që për kohën kishte vlera të mëdha. Ajo ishte edhe si një shpresë, rreze e vogël drite, për një hapje nga Perëndimi. Por atë që nuk e realizoi dot deri në fund italiani Palo Pinto, shpresojmë që ta arrijë bashkatdhetaria jonë, Buzo, të cilës i urojmë suksese. Memorie.al

 

Advertisement