Sport
Bonuçi: Allegri më hoqi nga Juve, klubi më…
Leonardo Bonuçi po përjeton verën e tij të parë pa futboll pasi njoftoi pensionimin e tij. Pas Union Berlin dhe Fenerbahçe, mbrojtësi tha mjaft, por e mbylli karrierën me një plagë ende të pashëruar: lamtumirën me Juventusin, më shumë për mënyrën sesa për thelbin.
“Më duhej të largohesha thuajse duke u fshehur, ishte një shfaqje force nga një individ dhe nuk e meritoja”. Referenca, pa e përmendur emrin, është për ish-trajnerin e Juventusit, Masimiliano Alegri: “Edhe sot e kësaj ditë nde nuk mund t’i jap vetes një shpjegim, por ishte thjesht lojë pushteti”. Edhe sot që futbolli është kujtim, Bonuçi donte të rikthehej disa muaj pas: “Është një plagë që mbetet sepse kur jep shumë, pret shumë. Juventusi më dha shumë – tha ai për “Bsmnt”, por mbyllja në këtë mënyrë ishte një goditje e rëndë që nuk e prisja. Më dhemb. Lojtarët e tjerë që kanë bërë më pak marrin nderimin e duhur. Nëse do të më kishin thënë se kishte mbaruar, do ta kisha pranuar, por ja që më thanë se nuk isha më prioritet e megjithatë prania ime në grup do të ishte e rëndësishme”. Motivimi për Bonuçin është i qartë dhe të çon te trajneri i atëhershëm i Juventusit: “Ishte demonstrimi i fuqisë së një individi. Në fillim më dukej si shaka, stërvitesha vetëm, por e gjitha ishte një lojë pushteti.
Megjithatë, rrugëtimi im në Juventus nuk ka përfunduar ende dhe ëndërroj që një ditë të kthehem si trajner, sepse klubi nuk ishte problem Nëse do të kisha vazhduar betejën ligjore do të kisha fituar, por në fund zemërata ime ishte për ata që më kishin nxjerrë jashtë skuadrës, jo për Juventusin. Mirëpo me Alegrin në një muaj e gjysmë nuk bëra as gjysmë bisede. Një ballafaqim do të ishte më e pakta”. Ka pasur mosmarrëveshje mes Bonuçit dhe Alegrit edhe në të kaluarën, stoli në Porto mbetet ikonik: “E gjithë kjo shihet pothuajse si hakmarrje për skenën në Portugali, por isha unë që e mora atë stol, vazhdoi ish-mbrojtësi. Realisht, në vitin 2017 duhet të isha përjashtuar nga skuadra, por klubi ndërmjetësoi. Ishte një episod serioz, por janë situata që ndodhin gjithmonë. Kam diskutuar edhe me Konten, sepse momente tensioni të lartë ka kudo. Gjithçka filloi me Alegrin, sepse nga fusha unë i kërkova për të zëvendësuar Markision sepse ishte i lodhur dhe sapo ishte shëruar nga një dëmtim; trajneri zëvendësoi Rinkonin dhe unë i bërtita që të zëvendësonte Klaudion sepse nuk mund të duronte më. Nuk e di nëse ka kuptuar diçka ndryshe”.
MILANI – Edhe në ditët pas humbjes në finalen e Champions në Kardif, shumë e akuzuan Bonuçin për një debat në pjesën e parë: “Absolutisht e rreme. Thjesht i thashë Dibalës të luante më lirshëm sepse kishte frikë të merrte një karton të dytë të verdhë. Në shumë shkrime më etiketuan si delja e zezë e grupit. I kërkova klubit të ndërhynte dhe më thanë se nuk ishte e nevojshme. Ai episod më zemëroi e raporti u përkeqësua. Më pas u shfaq mundësia për të shkuar te Milani dhe pranova. Edhe golin e festova sepse është diçka që gëzon çdo lojtar, por nuk ishte mungesë respekti”.