Kosova
Albin Kurti viziton sot Maqedoninë e Veriut, pak ditë pas incidentit me Vjosa Osmanin në aeroport
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të vizitojë sot Maqedoninë e Veriut, aty ku do të takojë homologun e tij, Hristijan Mickoski.
Vizita është paralajmëruar në orën 10:00, ndërsa një orë më vonë do të mbahet takim bilateral, ku përveç kryeministrave do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e qeverive të të dyja vendeve.
Kryeministrat Mickoski dhe Kurti do të mbajnë një konferencë të përbashkët, sipas njoftimit të qeverisë maqedonase. Gjithashtu pritet që diskutimet të jenë mbi bazën e raporteve bilaterale, bashkëpunimit në rajon dhe projektet infrastrukturore për dy shtetet.
Kjo vizitë vjen pak ditë pas incidentit që ndodhi në aeroportin e Shkupit, ku sipas Presidencës së Kosovës, kontrolli tentoi t’i kontrollojë telefonin personal presidentes Vjosa Osmani.