Connect with us

Kosova

Serbia i bën thirrje BE-së që “urgjentisht ta kundërshtojë arbitraritetin” e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka njoftuar se gjatë një takimi që ka zhvilluar me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Beograd, Emanuele Giaufret, u ka bërë thirrje shteteve anëtare që “urgjentisht” të kundërshtojnë lëvizjet e autoriteteve kosovare në pjesën veriore të territorit të banuar me shumicë serbe, që ai e quan “arbitraritet” nga ana e Kosovës.

Vuçiç, nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Instagram”, ka thënë gjithashtu se me diplomatin francez ka diskutuar për situatën në Kosovë, marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe BE-së, por edhe për hapat që është duke i ndërmarrë Qeveria e Serbisë për të “avancuar” në rrugën evropiane.

“Unë i kam bërë thirrje BE-së dhe vendeve anëtare që urgjentisht dhe përmes angazhimit konkret të kundërshtojnë arbitraritetin e Prishtinës, i cili kërcënon sigurinë e popullit serb dhe stabilitetin e gjithë rajonit”, ka shkruar Vuçiç pas takimit që ka zhvilluar me ambasadorin e BE-së në Beograd.

Presidenti i Serbisë ka njoftuar më herët se do t’i adresohet popullit serb lidhur me kërkesat e Serbisë pas “sulmeve brutale mbi popullin serb” në pjesën veriore të Kosovës, ndonëse ai nuk ka specifikuar se për çfarë bëhet fjalë.

Ai ka thënë se do t’i adresohet publikut për të gjitha kërkesat që, sipas tij, bashkësia ndërkombëtare nuk i ka përmbushur.

Advertisement