Connect with us

Politike

“Betohem”/ Proda merr zyrtarisht detyrën në krye të Policisë

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, ka prezantuar zyrtarisht drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në një ceremoni që është mbajtur në ambientet e drejtorisë së përgjithshme të policisë. Proda kreu betimin e tij, para drejtuesve të policisë së shtetit, ndërsa ceremonia zyrtare do të mbahet pas përzgjedhjes së të gjithë shefave të komisariateve në mbarë vendin.

“I nderuar zoti ministër, në këtë çast solemn të veprës së të gjithë brezave të policisë shqiptare, në shenjë nderimi, detyrimi dhe respekti, për gjakun e punonjësve të policisë të rënë dhe të plagosur në krye të detyrës, në emër të të gjithë punonjësve të policisë së shtetit, të vendosur për të mbrojtur rendin dhe sigurinë publike, për të garantuar zbatimin rigorozisht të ligjit, në nderim tim personal betohem për të mbajtur me nder flamurin e policisë së shtetit”, tha Proda gjatë fjalës së tij.

Nga ana e tij, ministri Ervin Hoxha tha se Proda është një oficer karriere që i ka ngjitur të gjitha gradat.

“Sot hapim një kapitull të ri në rrugën e përpjekjes së organizatës së policisë për tu rritur dhe zhvilluar profesionalisht. E vetmja vështirësi e drejtorit të ri edhe kjo në aspektin pozitiv mbetet standardi ku është ngritur policia e shtetit e cila duhet të vijë në rritje dhe konsolidim”, u shpreh ministri.

Advertisement