Aktualitet
Anija “Libra” rikthehet në stacionin e saj, emigrantë drejtë Shqipërisë
Nga e hëna “Libra”, anija e Marinës italiane do të kthehet në stacionin e saj 20 milje nga Lampedusa për të patrulluar ujërat dhe për të mirëpritur emigrantët e shpëtuar në Mesdhe për të kryer kontrollin e parë në bord dhe më pas për të transportuar për në Shqipëri, vetëm burrat e rritur “jo vulnerabël” dhe që vijnë nga vende që konsiderohen të sigurta sipas legjislacionit italian.
Qeveria italiane përshpejtoi sjelljen e një grupi të ri emigrantësh në Shqipëri pas vendimit të Gjykatës së Romës pak javë më parë që vendosi për kthimin në Itali të emigrantëve që ndodheshin në kampin e Gjadrit. Mediat italiane shkruajnë se teksa pritet ardhja e një tjetër kontigjenti emigrantësh, numri flitet të jetë nga 60-70 persona.
Më 21 tetor, qeveria e Giorgia Melonit miratoi një dekret ligjor që shënon ndryshimin e listës së saj të “vendeve të sigurta”, e cila kaloi nga normë dytësore në primare, me qëllim që ta forcojë dhe ta imponojë si prioritare, në hierarkinë juridike, në raport me udhëzimet e Gjykatës Evropian.
Gjithashtu mediat italiane shkruajnë se të martën e kaluar mbërriti dokumenti i parë zyrtar që vë në dyshim legjitimitetin e këtij vendimi. Gjykata e Bolonjës, duke shqyrtuar një ankesë të paraqitur nga një tridhjetë vjeçar nga Bangladeshi, të cilit i ishte refuzuar azili, i kërkoi Gjykatës së Drejtësisë së BE-së të përcaktonte nëse dekreti i qeverise nuk duhet të zbatohet duke qenë se kriteret e përdorura nga qeveria në përcaktimin e një vendi “të sigurt” bien ndesh me ligjin evropian. Kjo është për të shmangur rrezikun e një deportimeve në shkelje të parimit të mos-kthimit, parim ky thelbësor i të drejtës ndërkombëtare.