Connect with us

Aktualitet

Urdhër arresti për Netanyahun/ Reagon BE-ja: Ky nuk është një vendim politik…

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe sigurinë, Josep Borrell, vlerësoi sot se duhet të respektohen dhe zbatohet vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, e cila lëshoi sot urdhra arrestimi për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Galant dhe liderin e krahut ushtarak të Hamasit, Mohammed Deif.

“Ky nuk është një vendim politik. Është një vendim i gjykatës, i një gjykate ndërkombëtare të drejtësisë. Dhe vendimi i gjykatës duhet të respektohet dhe të zbatohet“, tha Borrell në një konferencë shtypi në Aman, me ministrin e Jashtëm jordanez, Ayman Safadi.

Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi sot urdhër arresti për Netanyahu, Galant dhe Deif, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për luftën në Gazë dhe sulmin e 7 tetorit të vitit të kaluar që shkaktoi një ofensivë izraelite në territorin palestinez.

Ky vendim i gjykatës teorikisht kufizon udhëtimet e Netanyahut, pasi çdo shtet nga 124 shtetet anëtare të gjykatës është i detyruar ta arrestojë atë në territorin e tij.

“Vendimi është i detyrueshëm dhe të gjitha shtetet, të gjitha shtetet nënshkruese të statutit të gjykatës, përfshirë të gjitha anëtaret e BE, janë të detyruara të zbatojnë këtë vendim të gjykatës”, tha diplomati spanjoll.

Sipas Izraelit, Deif u vra në një sulm më 13 korrik në jug të Gazës, por Hamas ka mohuar vdekjen e tij. Borrell, ish-ministër i Spanjës, pritet të largohet nga pozita në BE në dhjetor dhe do ta zëvendësojë ish-kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas.

Advertisement