Politike
Pjesëmarrja e emigrantëve do jetë deri në 70 mijë votues, përkthehen në 7 mandate deputeti
Kreshnik Spahiu deklaroi se vetëm 6-7% e emigrantëve shqiptarë mendonte se do merrnin pjesë zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri. E përkthyer në numra ishte 50-70 mijë persona votues, që gjithsesi ai nuk e quajti numër të vogël, por të konsiderueshëm.
Sepse sipas Spahiut këto kthehen në të paktën 7 mandate deputetësh.
“Nëse do të shkonte 10% do ishte një sukses i jashtëzakonshëm, por unë nuk mendoj se do i kalojë shifrat 6 apo 7%”, tha ai në Studio Live të Report TV.
Ai dha edhe 3 shkaqet pse do jetë kjo përqindjeje pjesëmarrjeje në votime nga diaspora, pas studimit të rrethanave.
“Për çfarë arsyesh? Unë mendoj se përqindja më e madhe, 20 apo 30% janë emigrantë ilegalë, në Europë dhe Britaninë e Madhe. Dhe sigurisht që ata që janë emigrantë ilegalë, nuk do të marrin pjesë në votime.
E dyta, janë një përqindje e madhe që janë legalë, 20%, që nuk duan të deklarojnë adresën e tyre.
Për shkak të dëmtimit të të dhënave, databazave në Shqipëri, hakërrimeve dhe shumë të dhënave personale, e shumë emigrantë nuk kanë besim që të dhënat e tyre personale t’ia deklarojnë shtetit shqiptar.
E treta, për shkak se logjistika dhe infrastruktura është disi e vonuar. Do jetë e vështirë edhe për KQZ që ta realizojë, teksa koha e mbetur është disi në 4 muaj për këtë proces.
Por edhe ata emigrantë që do kenë dëshirë, për çështje rrethanash, kostosh, shpenzimesh etj., nuk do të votojnë. Duke bërë këtë lloj përllogaritje, unë bëj një lloj parashikimi që do doja ta ruaja dhe një ditë pas zgjedhjeve ta diskutojmë së bashku”, u shpreh Spahiu.
Por ai nuk e cilëson një numër të vogël këtë shifër.
“Është një studim që e kam bërë me të gjitha rrethanat dhe mendoj se nuk do të kalojë 6-7%. Por mos harroni se 6-7% nuk janë pak. Sepse le të themi 70 mijë vota nuk janë pak, janë shumë dhe përkthehen në 7 deputetë”, tha juristi.