Connect with us

Aktualitet

Vrasja e Martin Canit/ Zv.drejtori i Policisë: Momenti i konfrontimit zgjati rreth 10 sekonda

Zëvendësdrejtori i Krimit në Tiranë, Erion Ismaili foli rreth sherrit që ndodhi në shkollën “Fan Noli”, ku u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij, Martin Cani. Ismaili tha për “Top Story” se Policia posedon pamje nga momenti i konfliktit. Më tej ai shtoi se momenti i konfrontimit mund të ketë zgjatur për 10 sekonda, por nuk kanë pamje.

“Kemi dy episode, më datë 15 ku jashtë ambienteve të shkollës kemi pasur një debat mes viktimës dhe autorit. Pas këtij episodi ka pasur një komunikim në aplikacionin Snap Chat, ku duket se janë sqaruar, por kanë lënë një takim të hënën pas mësimit. Episodi i dytë i ka ndodhur në ambientet shkollës. Më pas vijmë te ngjarja, që është rreth orës 13:00, 18 tetor. Viktima dhe personat kanë qenë në mbarim të procesit mësimor. Janë bashkuar 200 metra larg shkollës, duke evidentuar problematikën, kanë përshkuar 40 metra nga vendi i ngjarjes.

Në këtë vendngjarje kemi evidentuar 9 nxënës shkolle, 6 prej tyre janë në krahun e viktimës. Në krahun e autorit është autori dhe një nxënës tjetër. Janë identifikuar këta persona, janë pyetur dhe ripyetur. 3 prej tyre nuk janë të shkollës “Fan Noli”, janë nga krahu i viktimës. Kemi një dinamikë të qartë të ngjarjes. Që nga momenti i sherrit… momenti i goditjes është në disa sekonda. Debati dhe momenti i konfrontimit mund të jetë 10 sekonda. Nuk e kemi të filmuar këtë. Kemi video dhe gjatë momentit. Nga ana e policisë janë kryer një sërë veprimesh. Jemi deri tek një person, hetimi vazhdon.”, u shpreh ai

Të hënën e 18 nëntorit, adoleshentët Martin Cani dhe Mario Prelleshi ishin konfliktuar gjatë pushimit të gjatë, por ishin ndarë nga roja i shkollës dhe mësuesit. Disa orë më pas, rreth orës 13.00, kur edhe kishin përfunduar mësimin, u ritakuan në oborr ku edhe u përleshën me thika. Autori vrau 14-vjeçarin dhe plagosi shokun e ngushtë të viktimës, Luis Meçen. Gjatë marrjes në pyetje për shkakun e sherrit, autori është shprehur se përplasja kishte nisur për një “pse më shikon?”, por në asnjë moment nuk ka shprehur pendesë. Që nga dita e ngjarjes deri më sot, i mituri ishte në spital, por sot është nisur për në Kavajë, në institucionin e vuajtjes së dënimit për të miturit. 

Advertisement