Aktualitet
MIRATOHET PAKETA FISKALE, PER HERE TE PARE TVSH ULET NE 6% PER 54 PRODUKTE USHQIMORE
Kuvendi miratoi pesë projektligjet e paketës fiskale, që ulin nga 20% në 6% TVSH-në për 54 produkte ushqimore. Nga lista me TVSH të reduktuar u hoq uji i ambalazhuar, i cili ishte përfshirë më herët nga Komisioni i Ekonomisë. Kuvendi rrëzoi edhe amendamentet e PD-së për uljen e TVSH-së në 6% për ujin e pijshëm.
Çfarë parashikon paketa fiskale?
TVSH-ja ulet nga 20% në 6% për 54 produkte ushqimore. Nëse ulja e taksës reflektohet plotësisht në çmime, produktet e prekura mund të kushtojnë deri në 12% më pak. Norma e reduktuar përfshin edhe paketat higjienike për gratë dhe foshnjat, si dhe shërbime të tilla si projektimet e studimet për investimet e klubeve sportive.
Nga viti 2027, norma standarde e TVSH-së rritet nga 20% në 21%. Për strukturat akomoduese, TVSH-ja rritet nga 6% në 10%, me përjashtim të agroturizmit. Pragu i hyrjes së bizneseve në regjimin e TVSH-së ulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore.
Tatimi mbi dividendin rritet nga 8% në 15%. Për pagat mujore, fasha me tatim 13% zgjerohet nga 60–200 mijë lekë në 60–300 mijë lekë. Norma 23% zbatohet për fashën mbi 300 mijë deri në 700 mijë lekë, ndërsa për pagat mbi 700 mijë lekë vendoset norma 30%. Paga minimale mbetet e përjashtuar nga tatimi.
Taksa e qarkullimit, që aktualisht paguhet në çmimin e çdo litri naftë ose benzinë dhe arrin në 32,4 lekë me TVSH, kalon te detyrimet vjetore të automjetit. Me këtë ndryshim, taksat vjetore të mjetit dyfishohen.
Votimi për paketën fiskale
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”, 82 vota pro
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 92/2014, “Рër tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar 78 pro
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, 80 vota pro
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, tëndryshuar”, 80 pro 20 kunder
Projektligji “Për disandryshime dhe shtesa në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, 78 pro