Aktualitet
U godit nga efektivët? Policia e Shtetit përgënjeshtron opozitën: Deputeti nuk është ndjerë mirë
Policia e Shtetit në një njoftim zyrtar e ka cilësuar të pavërtetë deklaratën në media të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, ku pretendoi se deputeti Agron Gjekmarkaj është goditur nga punonjësit e Policisë. Gjekmarkaj deklaroi se ai ishte sulmuar nga policia. Ai theksoi se policët e kanë përplasur dhe goditur me shkelma edhe pse e dinin që ishte deputet.
“I thashë jam Nënkryetari i Parlamentit por këtu nuk ka më institucione, ka vetën violencë dhe rezistencë qytetare. E gjitha është përpjekje për të krijuar provokim, sepse qytetarët kanë të drejtë të protestojnë. Bashkia e Tiranës i bën aktivitetet në rrugë edhe PS, është e drejta e Partisë Demokratike, e qytetarëve të protestojnë në rrugë. Po rrëmbejnë qytetarët. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në protestë. Të gjithë do të përgjigjen para drejtësisë për mënyrën si po sillen. Një polic erdhi më shtyu me duar e më gjuajti me shkelma sikur të mos ishim njerëz po prej betoni,”-i shpreh nënkryetari i PD.
Në njoftim thuhet se Gjekmarkaj nuk u dhuna nga asnjë punonjës policie, por ai nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është larguar nga protesta. Ndër të tjera Policia ka reaguar edhe sa i përket incidentit të deputetit Flamur Noka i cili u përplas fizikisht me shefin e komisariatit nr.1, Robert Losha. Në njoftim thuhet se Noka nuk iu bind urdhrit të Policisë për të liruar rrugën, por ka kundërshtuar me dhunë, duke shtyrë, fyer dhe goditur punonjësit e Policisë që ishin në detyrë për të liruar rrugën me qëllim lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.
REAGIMI:
Policia e Shtetit përgënjeshtron si tërësisht të pavërtetë deklaratën në media të z. Sali Berisha, ku pretendoi se deputeti Agron Gjekmarkaj është goditur nga punonjësit e Policisë.
Deputeti Gjekmarkaj nuk është goditur nga asnjë punonjës policie, por, nga të dhënat e para, rezulton se ai nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është larguar nga protesta.
Policia e Shtetit shpreh keqardhje për këto deklarata dhe, mbi të gjitha, për veprimet e dhunshme të deputetit Flamur Noka, i cili jo vetëm nuk iu bind urdhrit të Policisë për të liruar rrugën, por ka kundërshtuar me dhunë, duke shtyrë, fyer dhe goditur punonjësit e Policisë që ishin në detyrë për të liruar rrugën me qëllim lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.
Policia e Tiranës ka evidentuar të gjithë ata shtetas që bllokuan në mënyrë antiligjore rrugën dhe kundërshtuan urdhrin e punonjësve të Policisë për ta liruar atë dhe do të procedohen sipas ligjit.
Bllokimi i rrugëve është vepër penale, çka u është bërë e qartë organizatorëve të protestës në përgjigjen e kthyer nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, që mori përsipër garantimin e protestës, por pa bllokuar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.