Shkrime
Milionat e Erion Veliajt, politikani që ushqente me supë të varfërit
Si rrallëherë, Erjon Veliaj nuk pati fuqi ta kontrollojë veten para kamerave të televizioneve që filmonin daljen e tij nga oborri i SPAK. Nxitimi për të ikur sa më shpejt, truprojat që shtynin gazetarët, thirrjet pa përgjigje të militantëve të PD-së në sfond “hajdut, hajdut” ofruan imazhin e një politikani që nuk pati asnjë mesazh për të dhënë, por vetëm mërmëriste nëpër dhëmbë, pas 5 orësh në prokurori. Filmimet më poshtë tregojnë një Erjon që në ditën më të keqe, ishte i pafuqishëm për t’u futur në rol.
Hetimi për Erjon Veliajn dhe lidhjet e tij me Elman Abule, zotërues i një skeme të pastrimit të parave ka përmbysur përfundimisht imazhin e djalit të mirë dhe të thjeshtë të politikës, të riut me shkollim perëndimor dhe që mbartte mbi supe imazhin e të ardhmes së lidershipit socialist, një imazh që kryebashkiaku e kishte ndërtuar prej vitesh me mund dhe përpjekje nëpërmjet mediave të kapura falë fuqisë financiare që i garantonin taksat e qytetarëve të Tiranës.
Deri dje, kur përmendej emri i Erjon Veliajt, çdo konsumatori trushpëlarë të propagandës mediatike, i vinte në mendje instiktivisht djali i sjellshëm dhe zemërmirë që sakrifikonte rehatinë personale mbrëmjet e festave dhe shkonte të vishte përparësen, kapte garuzhden dhe mbushte pjatat me supë për të moshuarit siç duket në foton më poshtë.
Përveç këtyre skenave, Veliaj është përpjekur të ngjizë edhe imazhin e njeriut që nuk jeton në luks, por mjaftohet me pak. Në kontrast me GMC që përdor kryeministri Rama, Veliaj është parë të vinte në aktivitetet e bashkisë me një Toyota Pruis hibride, si një politikan i ndjeshëm ndaj mjedisit, që bën çfarë është e mundur të mos krijojë ndotje në publik. (Foto më poshtë)
Po kaq simbolike ka qenë biçikleta me të cilën Veliaj shfaqej në mbledhjet e Partisë Socialiste, që shpesh nuk i shpëtonte syrit të gazetarëve në oborrin e selisë së PS-së.
Por hetimi pasuror që ka nisur SPAK, gjetjet e agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kontrolli në shtëpinë e kryebashkiakut dhe sekuestrimi i celularit të bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa tregoi se e gjitha ishte një fasadë dhe këtë e ka konfirmuar një hulumtim i gazetarëve Ola Xama dhe Xhevahir Zhabina në MCN.
Të dhënat e gjetura nga gazetarët tregojnë se pas pjatave me supë për të moshurit dhe bicikletës modeste, familjarët e Erjon Veliajt kanë grumbulluar pasuri marramendëse. Veliaj është kujdesur që në emrin e tij të ketë një shtëpi 111 metër katrorë, 10 mijë euro në bankë dhe një kredi për t’u shlyer edhe ca vite të tjera. Ndryshe ndodh me familjarët e tij të afërt.
Pasuria e Ajolës
Pasuria e Xoxës arrin deri në 617 mijë euro në total. Ajo ka në pronësi kompaninë ligjore Partners Laë dhe është e përfshirë si kuratore me qendrën Harabel. Por në hulumtimin që është bërë në veprimtarinë e saj si kuratore arti, bien në sy sponsorizimet që ka marrë Xoxa nga projektet e organizatave jofitimprurëse, të cilat financoheshin mes të tjerash edhe nga Bashkia e Tiranës.
“Bashkëshortja e z.Veliaj, Ajola Xoxa ka të deklaruara disa llogari bankare që kapin një vlerë totale prej 617 mijë euro, ku afërsisht një e treta e këtyre llogarive vijnë nga trashëgimia. Xoxa ka në zotërim 2 apartamente, një me sipërfaqe 162 m2 të blerë në vitin 2016 për vlerën 88.6 mijë euro në zonën “Kodra e Diellit”, dhe një tjetër të blerë në vitin 2018 me sipërfaqe 107 m 2 për vlerën 105 mijë euro me të ardhura të dhuruara dhe nga puna. Ajola Xoxa ka në pronësi 367 m2 sipërfaqe takuese të një trualli në Fier të përfituar nga trashëgimia. Po nga trashëgimia ajo zotëron 19.8% aksione në kompaninë “Botimet Enciklopedike” dhe ka në pronësi dhe zyrën ligjore “Partners Laë”.
Gjatë vitit 2023 Xoxa deklaron se ka gjeneruar në total 97.3 mijë euro të ardhura nga puna në qendra të ndryshme kryesisht në fushën e kulturës dhe nga kompanitë që administron. 22.4 mijë euro janë marrë nga veprimtaria profesionale në Qendrën Harabel, 22 mijë euro nga projekti Balkan Youth Link – Albania, 15.7 mijë euro nga veprimtari të tjera, 12 mijë euro nga qiraja, 12 mijë euro nga paga si administratore te shoqëria Botimet Enciklopedike dhe 13.2 mijë euro nga zyra ligjore Partners Laë shpk. Nga këto të ardhura rezulton të ketë kursyer 90.6 mijë euro dhe të ketë shpenzuar përgjatë vitit 2023, 6.7 mijë euro. Xoxa nuk rezulton të ketë detyrime bankare” raportojnë gazetarët e MCN.
Pasuria e Arbër Veliajt
Vëllai i Erjon Veliajt nuk është person publik. Ai ka qëndruar gjithnjë në hije duke u marrë me bizneset e tij, që janë rritur në mënyrë të shpejtë pas ardhjes së socialistëve në pushtet. Pasuria e Ajola Xoxës, edhe pse në shifra të konsiderueshme, nuk ka të krahasuar me paratë që qarkullon vëllai i kryebashkiakut, Arbër Veliaj. Me kompanitë e tij, Arbëri llogaritet të ketë qarkulluar thuajse 30 milion euro.
Rritja e menjëhershme e kompanisë Gogël vjen në vitin 2014, kur z.Erion Veliaj kishte marrë postin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, pas këtij viti, të ardhurat për firmën e Arbër Veliaj dyfishohen dhe arrijnë një xhiro mesatare 3 milion euro në vit mes periudhës 2018-2022, në vitin 2023, xhiro shtohet me 2.6 herë për të kapur shifrën 8 milion euro. Në po këtë vit Arbër Veliaj themelon një tjetër kompani që zotëron Gogël shpk, Gogël Holding me aktivitet në fushën e administrimit të pjesëmarrjeve në kompani të tjera dhe konsulencës teknike, financiare dhe ligjore , e cila ka shënuar një xhiro vjetore që vitin e parë të operimit në vlerën e 1.66 milion eurove dhe një fitim neto 1.65 milion euro.
Në total nga aktiviteti i shoqërive të tij në Shqipëri Arbër Veliaj ka gjeneruar afërsisht 30 milion euro të ardhura në 10 vitet e fundit dhe 4.5 milion euro fitime.
Vëllai i kryebashkiakut rezulton të ketë një duplex në zonën e Kodra e Diellit pasuri të patundshme me sipërfaqe 112 m2 dhe një vilë në bregdetin e Qerretit me sipërfaqe trualli 446 m2 dhe ndërtesë 80 m2. Arbër Veliaj jeton së fundi mes Tiranës dhe Vienës, ku dhe ka themeluar aty dy kompani të tjera “Gogel GMBH” dhe “Reg Investitions GMBH” raportojnë gazetarët e MCN.
Mbetet për t’u parë se si do të konkludojë hetimi i SPAK për dosjen “5D”, për inceneratorin e Tiranës apo për skemën e pastrimit të Elman Abules. Por shifrat marramendëse të pasurisë së familjarëve të Veliajt mjaftojnë për t’i dhënë fund karrierës së tij politike, të ngritur mbi gënjeshtrat dhe mashtrimet e një politikani modest, i cili ushqente me supë më të varfërit, ndërsa familjarët e tij bënin miliona./Lapsi.al