Connect with us

Aktualitet

Murtaja afrikane! Kontrolle në Shkodër dhe Lezhë, Shërbimi Veterinar bllokon 7 mjete me 43 derra

Teksa murtaja afrikane e derrave është rifshqur në Shqipëri, me identifikimin e një vatre në një fermë në Ishull-Lezhë, tashmë Shërbimi Veterinar ka nisur kontrollet në zonë.

Shërbimi Veterinar i Rajonit Shkodër në bashkëpunim me Policinë e Shtetit sot, kanë kryer kontrolle në akset rrugore, në mënyrë që të mbahet në monitorim lëvizja e kafshëve të gjalla derra, si dhe të mjeteve të transportit të kafshëve nga/dhe brënda zonës 3 dhe 10 km.

Akset ku u vendosën katër grupet e punës të përbashkëta janë si mëposhtë:
1. Rruga nacionale Lezhë –Tiranë,në kufirin e zonës 10 km në vëndin e quajtur “Dalja e Urës së Milotit.
2. Në rrugën Lezhë – Milot, aksi i vjetër në hyrje të urës së vjetër të Milotit.
3. Në rrugën Nacionale Lezhë –Shkodër, në dalje të fshatit Balldre.
4. Në rrugën e vjetër Kallmet – Lezhë, në dalje të fshatit Rroboshtë

Nga grupet e punës u ndaluan dhe u kontrolluan 56 mjete transporti të kafsheve, nga këto 7-mjete transporti rezultuan me derra, gjithsej 43 krerë (gica 2-3muaj). Mjetet që transportonin derrat u kthyen për në fermat e origjinës për të shkarkuar derrat dhe u urdhëruan mjekët veterinerë përkatës në këto zona, sipas adresave, që të kontrollojnë fermat e derrave dhe të dezinfektojnë mjetet e transportit të tyre.

Shqipëria ka ndalur importet e derrave dhe shpendëve nga Sllovakia, Italia, Hungaria, Letonia, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Danimarka, Holanda, Belgjika, Bullgaria, Gjermania, Lituania, Estonia, Moldavia, Polonia dhe Ukraina. Murtaja afrikane e derrit është një sëmundje ngjitëse dhe virale, që shkakton ethe hemoragjike tek derrat e butë dhe ata të egër. Shkenca ka zbuluar deri më tani se sëmundja nuk transmetohet tek njerëzit ose kafshët e tjera.

Advertisement