Connect with us

Politike

Ulja e çmimit të energjisë veprim elektoral? Rama thyen heshtjen: E kemi të sigurt fitoren

Pas njoftimit se sot u ul çmimi i energjisë elektrike, kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur një komentuesi në rrjetet e tij sociale, i cili tha se ky vendim është marrë për qëllime elektorale. Rama tha se ky vendim nuk ka qëllime elektorale, pasi nuk e ka bërë asnjëherë më parë. Më tej, kryeministri shtoi se ndryshe nga çdo vend i botës ku ccmimi po rritet, në Shqipëri ulur.

“E para ne nuk e kemi ngritur asnjëherë çmimin, e kemi mbajtur një dekadë resht çmimin fiks 9.5 lekë, që ishte më i ulët se çmimi që gjetëm kur erdhëm në detyrë. E dyta çmimi jo vetëm që nuk është ulur në gjithë botën, por është rritur pas agresionit rus. Kjo e jona është ulja e vetme në rajon të paktën që nga nisja e luftës në Ukrainë.

Kush thotë që është ulje elektorale duhet të më gjejë një veprim të kësaj natyre me karakter elektoral, që të mund të kem bërë për vota kundër logjikës ekonomike financiare të vendit, ose një rast kur një masë pozitive që kemi marrë para një procesi zgjedhor, ta kemi hequr? Nuk ka, mos kërkoni kot se nuk ka ndodhur.

Dhe mos harroni dhe një gjë, kur unë nuk i kam bërë këto më parë kur kisha dhe të tjerë në prehër, do t’i bëj në prag të zgjedhjeve që do marrim fitoren e 10-të radhazi, që do ketë notën dhjetë për nga thellësia e rezultatit dhe diferenca me kundërshtarët?! Llafet i merr era, për mua rëndësi ka fakti që që nga muaji shkurt mbi 1 milion konsumatorë familjarë do të paguajnë më pak dhe pensionistët do të një pension minimal plus nga kjo ulje e çmimit”, tha Rama.

Enti Rregullator i Energjisë u mblodh sot për të shqyrtuar çmimin e ri të energjisë elektrike. Bordi ka vendosur që çmimi i energjisë të ulet me 1 lekë, nga 9.5 për kilovat që ishte do të bëhet 8.5 për kilovat. Romir Pajenga drejtor i Tarifave, OSHEE tha se çmimet për konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 700 KëH, do të jetë 8.5 lekë. Ndërsa për konsumatorët familjarë që shpenzojnë mbi 700 KëH, 9.5 lekë, ndërsa me TVSH arrin në 11.4 lekë. Ulja e çmimit do të prekë vetëm kategorinë e konsumatorëve familjarë, duke përjashtuar kategoritë e tjera si bizneset, institucionet buxhetore dhe jobuxhetore. Pritet që prej datës 1 shkurt të këtij viti të nisë ulja e çmimit të energjisë elektrike. Çmimi aktual që paguajnë familjet shqiptare për energjinë është 9.5 lekë, pa TVSH apo 11.4 lekë, me TVSH.

Advertisement