Aktualitet
Gjithë fajin e ka TikTok-u
Nga Lutfi Dervishi
TikTok është fajtor për nivelin e lartë të korrupsionit në vend. Para TikTok-ut, Shqipëria ishte vend pa korrupsion.
TikTok është fajtor për fyerjet, sharjet, shpifjet dhe sherret në Parlament. Para TikTok-ut, debatet në Parlament, ngjanin si dy pika uji me ato që bëhen në Oxford.
TikTok është fajtor për rritjen e kriminalitetit në vend. Para TikTok-ut, krimin e ndeshnim vetëm në libra e filma.
TikTok është fajtor për rritjen e aksidenteve rrugore. Para TikTok-ut, nuk ka pasur viktima nga aksidentet.
TikTok është fajtor për rezultatet e dobëta në arsim. Para TikTok-ut, nxënësit shkëlqenin në testin PISA.
TikTok është fajtor për shpopullimin e vendit. Para TikTok-ut, shqiptarët nuk largoheshin nga Shqipëria.
TikTok është fajtor për pensionet e ulëta. Para TikTok-ut, pensionet ishin të larta dhe të mjaftueshme për një jetë komode.
TikTok është fajtor për rritjen e çmimeve. Para TikTok-ut, çmimet ishin të përballueshme për çdo page.
TikTok është fajtor për shitblerjen e votës dhe presionet ndaj votuesve. Para TikTok, procesi zgjedhor ishte i pastër dhe i ndershëm, pa asnjë rast të shitblerjes së votës dhe pa asnjë presion mbi administratën.
TikTok është fajtor për mosperfundmin e veprave publike. Para TikTok veprat mbaronin në afat dhe me cilësi.
TikTok është fajtor për nivelin skandaloz të propagandës. Para TikTok, informacioni ishte i paanshëm dhe i besueshëm dhe qeveria i përgjigjej çdo kërkese të gazetarëve.
TikTok është fajtor për ndryshimet klimatike. Para TikTok-ut, Shqipëria kishte një klimë të qëndrueshme dhe të parashikueshme.
TikTok është fajtor për gjithçka që nuk shkon mirë në vend. Para TikTok-ut, Shqipëria ishte një parajsë tokësore pa asnjë problem.