Connect with us

Bota

Trump ndryshon qëndrim për Zelenskyn: Kam respekt të madh për të, kanë luftuar me guxim

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka qëndruar radikalisht qëndrim mbi homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke thënë tashmë se ai mendon se Zelensky dhe populli ukrainas kanë luftuar me guxim dhe se ai ka një respekt të madh për numrin një të Kievit.

Komentet Trump i bëri gjatë konference shtypi me kryeministrin britanik, Keir Starmer, i cili gjendet në një vizitë zyrtare në SHBA, posaçërisht për t’u takuar me Trump dhe për të biseduar rreth temave të nxehta, përfshi luftën në Ukrainë.

Megjithatë, këto të Trump janë komente shumë të kundërta me ato të disa ditëve më parë, kur ai iu referua Zelenskyt si një “diktator që nuk mban zgjedhje”.

Gjatë një pritje që pati për kryeministrin britanik, Keir Starmer, Trump – siç e ka bërë traditë tashmë – mirëpriti edhe gazetarët, duke lejuar pyetjet e tyre. Por duket se ndoshta kjo “traditë” që Trump po krijon, po i shkakton probleme, pasi ai harron (ndoshta qëllimisht) atë çfarë ka thënë në të shkuarën.

Një prej gazetarëve, e pyeti kreun e Shtëpisë së Bardhë nëse ende mendonte se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ishte një “diktator që s’ka mbajtur zgjedhje”.

Përgjigja e Trump i la të shtangur të gjithë: “Pse, e kam thënë këtë?! Nuk më besohet ta kem thënë”, u shpreh ai i habitur.

Përgjigja ndaj kësaj habie të Trump është shumë e thjeshtë ndërkohë: Po, e ka thënë.

Në një reagim në median sociale “Truth” më 19 shkurt, presidenti i SHBA-ve Donald Trump e ka quajtur homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky një “diktator pa zgjedhje”, i cili “bën mirë të lëvizë shpejt” ose nuk do t’i mbetet asnjë vend.

Trump pohon po ashtu se vetëm ai mund të negociojë paqen.

“Një diktator pa zgjedhje, Zelensky bën mirë të lëvizë shpejt ose nuk do t’i mbetet asnjë vend. Ndërkohë, ne po negociojmë me sukses një fund të Luftës me Rusinë, diçka që të gjithë pranojnë se vetëm ‘TRUMP’ dhe administrata Trump mund ta bëjnë. Biden nuk u përpoq kurrë, Evropa ka dështuar të sjellë paqen”, theksoi fillimisht shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Trump pretendon se Zelensky manipuloi SHBA-të për të shpenzuar 350 miliardë dollarë për një “luftë të pafitueshme”.

“Mendohuni pak, një komedian modest i suksesshëm, Volodymyr Zelensky, i nxiti Shtetet e Bashkuara të Amerikës të shpenzonin 350 miliardë dollarë, për të shkuar në një luftë që nuk mund të fitohej, që nuk duhej të fillonte kurrë, por një luftë që ai, pa SHBA-të dhe ‘TRUMP-in’, nuk do të mund ta zgjidhte kurrë”, shtoi ai.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar 200 miliardë dollarë më shumë se Evropa, dhe paratë e Evropës janë të garantuara, ndërsa Shtetet e Bashkuara nuk do të marrin asgjë mbrapsht.

“Unë e dua Ukrainën, por Zelensky ka bërë një punë të tmerrshme, vendi i tij është shkatërruar dhe miliona njerëz kanë vdekur në mënyrë të panevojshme”, ravijëzon Donald Trump.

Advertisement