Connect with us

Bota

I dashuri i saj “bullizoi” Zelenskin për veshjen, kongresmenia e Trump: Hollivudi na ka programuar të besojmë se rusët janë armiqtë

Reporteri konservator Brian Glenn ishte ai i cili “bullizoi” presidentin e Ukrainës, Volodomyr Zelensky duke e pyetur se përse nuk kishte veshur kostum gjatë vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë.

Ndërhyrja e Glenn u pa si e para planifikuar për të vënë Zelenskyn në pozita të vështira. Por prania e tij nuk ishte rastësore në grupin e gazetarëve që u lejuan të merrnin pjesë. Prej ardhjes së Donald Trump si president i SHBA-së, gazetarët që do jenë të pranishëm në këto evente të rëndësishme i zgjedhin vetë republikanët dhe jo më organizata e gazetarëve që ka funksionuar prej vitesh.

Kjo bëri që të pranishëm të ishin miq të ngushtë të rrethit të Trump dhe të mungonin reporterë seriozë të Associated Press dhe Reuters, si edhe një gafë tjetër të raportuar nga CNN ku në Shtëpinë e Bardhë u lejua të hynte një gazetar i medias shtetërore ruse TASS.

Por Brian Glenn është në fakt i dashuri i kongresmenes republikane Marjorie Taylor Greene. Kjo e fundit njihet për qëndrimet e saj pro-ruse, si dhe për qëndrimet armiqësore ndaj Ukrainës dhe Zelenskyt.

Madje kjo e fundit ka habitur jo pak njerëz me një deklaratë që ka bërë së fundmi në rrjetin social “X” të Elon Musk.

Ja çfarë shkruan ajo në “X”:

A e keni vënë re ndonjëherë sesi për dekada tani Hollyëood-i e bënte gjithmonë Rusinë djalin e keq në filmat e tyre? Është sikur amerikanët janë programuar të besojnë se Rusia duhet të jetë armiku në çdo kohë.

Dhe tani pas viteve të dërgimit të miliarda e miliarda dollarëve në Ukrainë dhe mbështetjes së një lufte me Rusinë, gjithçka që ka çuar është mbi 1 milion të vdekur dhe të vrarë ukrainas dhe rusë, dhe gjithashtu shumë sanksione ekonomike që kanë nxitur inflacionin në të gjithë botën.

Është koha për diplomaci dhe koha për paqe. Është koha për të rivendosur marrëdhëniet e mira dhe për të hequr sanksionet dhe për të zhvilluar partnerë të mirë tregtarë jo vetëm me Ukrainën, por edhe me Rusinë.

Kjo do të çojë në botë, paqe dhe prosperitet për të gjithë.

Të forta kanë qenë reagimet, duke i vënë në dukje asaj se përshkrimi i rusëve të “të këqinj” në filma është bërë për shkak se për vite të tëra rusët kanë qenë “të këqinjtë” edhe në jetën reale.

Advertisement