Politike
‘Fakte të tmerrshme për Veliajn’/ Berisha: Prokurori po bëhet fajtor se ka qenë në klasë me Argitën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar sot se akuzat për të cilat është arrestuar Erion Veliaj janë të rënda dhe shoqërohen me prova të forta të paraqitura nga prokuroria.
Sipas Berishës, prokurori Ols Dado ka bërë publike fakte tronditëse, duke përmendur gjetjen e shumave të mëdha të parave cash, përfshirë 260 mijë euro TVSH në blerje dhe vila të rrafshuara për zgjerimin e oborrit që, sipas tij, i përkasin Veliajt dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.
“Del gruaja e Assad me 1 milion euro garderobë dhe del Ajola Xoxa me 850 mijë euro garderobë. Gjenden topa me euro, vila të rrafshuara e të parrafshuara,” deklaroi Berisha.
Ai gjithashtu ironizoi faktin se Ols Dado po sulmohet vetëm pse ka përfunduar studimet e tij duke qenë në klasë me të bijën e tij, Argita Berishën. Megjithatë ish-kryeministri u shpreh se nuk është i sigurt për këtë të fundit dhe se do të pyesë të bijën.

