Kosova
PDK synon koalicion me LDK e AAK, por s’e negocion pozitën e kryeministrit

Bedri Hamza, kandidat për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, ka theksuar edhe një herë qëndrimin e partisë së tij për të mos krijuar koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).
Hamza ka thënë në një intervistë se dallimet politike janë arsyeja kryesore që PDK-ja nuk mund të bashkëpunojë me LVV-në. Ai ka konsideruar më tej se më e mundshme është që opozita të formojë qeverinë e re të vendit, duke paralajmëruar bashkimin e forcave për të arritur një shumicë prej 52 deputetësh, plus 10 të minoriteteve joserbe.
Ai gjithashtu ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i cili, në një konferencë për shtyp të hënën në Prishtinë, ka garantuar sërish se nuk do të bëjë koalicion me LVV-në, duke shtuar gjithashtu se LDK-ja do të pranojë të hyjë në qeveri vetëm nëse merr kryeministrin.
“Nëse partia e parë nuk arrinë t’i bëjë institucionet, atëherë situata është e qartë, mandati i kalon partisë së dytë dhe në këtë rast, partia e dytë është PDK-ja. Ne jemi të hapur të bisedojmë me partitë me të cilat kemi qenë në opozitë dhe me partitë që kanë ulëse në Kuvendin e Kosovës, të diskutojmë për përbërjen e qeverisë së ardhshme” – deklaroi Hamza
Kujtojme se javët e fundit janë diskutuar një sërë skenarësh të mundshëm për formimin e qeverisë së re të Kosovës. Gjithashtu, sikurse brenda, ashtu edhe jashtë zyrave partiake, janë hedhur në tryezë shumë kombinime, të cilat synojnë të gjejnë një ekuilibër politik dhe të sigurojnë mbështetje për krijimin e një shumice parlamentare të qëndrueshme.

