Politike
Shqipëria në BE/ Berisha-Ramës: Më i ligu ndër të ligjtë është gënjeshtari

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si “mashtruesin më të madh që ka njohur politika shqiptare”, duke e cilësuar si njeriun që ka manipuluar shqiptarët për më shumë se një dekadë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha kujtoi sesi Rama festoi hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian në 2017, duke organizuar festa dhe dekorime, ndërkohë që negociatat u hapën realisht vetëm 8 vite më vonë.
Sipas Berishës, edhe premtimi i Ramës për pasaportën evropiane është një tjetër mashtrim i madh. “Ai nuk thotë vitin 2029 sepse e di që nuk do ndodhë, por e çon përtej mandatit të tij, vetëm për të mashtruar shqiptarët”, u shpreh ai.
Duke paralajmëruar zhvillime të reja politike, Berisha deklaroi se 12 maji do të shënojë fundin e Ramës, ndërsa garantoi se një qeveri e re e drejtuar nga PD do të përqendrohet në integrimin evropian të Shqipërisë, por të bazuar në meritë dhe jo në manipulime.
“Më i ligu ndër të ligjtë është gënjeshtari. Nëse ju merrni Edi Ramën nga 2013 gjer më sot ju garantoj se në gjithë globin nuk gjeni gënjeshtar të dytë si ky. Jeni dëshmitarë si zotëria hapi shampanjën, hodhi fishekzjarrë dhe dekoroi ambasadorët në vitin 2017 për hapjen e negociatave. Bëri mashtrimin më grotesk. Negociatat de-facto u hapën vetëm para 3-4 muajsh. U deshën 8 vite nga ato festime. Tani çfarë thotë.
Pasaportën e prodhuar nga qeveria e mëparshme, thotë do jetë evropiane në vitin 2013. Ai nuk thotë dot vitin 2029 se e di që nuk do ndodhë, por e çon përtej mandatit që përpiqet të grabisë vetëm për të mashtruar shqiptarët.
Unë i them Edi Ramës se “nuk ke parë gjë akoma, është vetëm fillimi”. Shqipëria nuk përmbushte asnjë kriter përveç atij gjeo-strategjik dhe këtë do ia faktoj kujtdo se është e vërtetë e pamohueshme. Ndaj Edi Rama e dorëzon detyrën në 12 maj dhe garantoj se në qeverinë e ardhshme, objektivi i parë do jetë integrimi ynë në BE, por i bazuar në meritë”, tha ai.

