Connect with us

Kosova

Kosova mbetet në mes urës së prishur në marrëdhëniet Amerikë-Bashkimi Europian

Përveç sfidës për mbylljen e problemeve me Serbinë, Kosova po e gjen veten, gjithnje e me shume, edhe mes vështirësive për pozicionimin  gjeopolitik mes aleatëve të saj, SHBA-së dhe BE-së, të cilët dita e ditës vetëm sa po largohen nga njëri-tjetri.

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se Kosova s’duhet të zgjedh njërën nga të dyja, por të jetë edhe me Washingtonin edhe me Brukselin.

“Me SHBA-në si partnerin kryesor strategjik dhe me BE-në si hapësirë evropiane të cilës i takon dhe bashkësi në të cilën aspiron të anëtarësohet” – deklaroi ish-kryeministri .

Njeriu që ka drejtuar institucionet e Kosovës, tha se gjatë kohës kur Donald Trump ka qenë në pushtet herën e parë, ka pasur hile nga disa vende evropiane, që i kanë sugjeruar Kosovës që s’kanë nevojë të lidhen shumë me SHBA-në, meqë i takojnë Evropës.

Mustafa tha se ky sugjerim i kishte ardhur Kosovës teksa vetë evropianët i keqtrajtonin kosovarët me regjimin e vizave dhe ndërkohë që ata vetë shqetësoheshin nga deklaratat që vinin nga zyrtarë amerikanë për tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Evropa.

“Prandaj duhet të rikthejmë besimin në marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara sikurse edhe me institucionet dhe vendet e Bashkimit Evropian. Të mos vazhdojmë me ligjërata boshe e të çuditshme  në politikën e jashtme” – ka theksuar Mustafa.

Përveç faktorëve të jashtëm që determinojnë zhvillimin e Kosovës si shtet, ndërveprimi politik dhe qeverisja e brendshme ka rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. Duke folur për këtë çështje, Mustafa tha se rruga që po ndiqet nga politika kosovare ngjan më shumë me një rrugë pa dalje sesa me një trase që e çon Kosovën përpara.

Mustafa thekson mungesën e demokracisë së mirëfilltë, mosrespektimin e punës dhe vlerave, ndërkohë që shton se zgjedhjet fitohen me politika popullsitë e aleatët që çliruan shtetin shpërfillen.

“Kosova eshtë larg nga demokracia e mirëfilltë, nga interesat aktuale të shtet ndërtimit dhe nga qasjet e peshuara racionale profesionale e shkencore. Nuk respektohet puna dhe vlerat. Zgjedhjet fitohen me politika popullsitë, ndërsa ngec ekonomia, arsimi, shëndetësia, dhe shpërfillen marrëdhëniet me aleatët që i ndihmuan lirisë, formimit të shtetit, ngritjes ekonomike dhe institucionale” – theksoi ish kryeministri

Advertisement