Connect with us

Kosova

Bllokadë në Kuvend/ Kosova rrezikon milionat e BE-së për shkak të mosmarrëveshjeve politike!

Bashkimi Evropian tha se është në interes të Kosovës që me shpejtësi të formojë institucionet e saj.

Zëdhënësi i BE-së për çështje të zgjerimit, Guillaume Mercier tha të enjten më 24 prill se formimi i shpejtë i institucioneve të Kosovës është i rëndësishëm në përmbushjen e reformave evropiane dhe lëvizjen përpara në këtë rrugë.

“Ajo që mund të them është se është në interes të Kosovës që me shpejtësi t’i formojë institucionet, gjë që është shumë e rëndësishme në përmbushjen e reformave evropiane dhe lëvizjen përpara në këtë rrugë. Është gjithashtu e rëndësishme për çështje të tjera, si Plani i Rritjes, siç e dini duhet që Parlamenti i Kosovës të jetë i konstituuar për të vazhduar punën në këtë drejtim”, deklaroi Mercier kur u pyet nëse dështimi për të konstituuar Kuvendin ka pasoja në raportet e Kosovës me BE-në, transmeton KP.

Kosova nuk mund të përfitojë pagesat e para nga Plani i Rritjes derisa në Kuvend të ratifikohet marrëveshja për mjetet dhe kredinë me Bashkimin Evropian. Marrëveshjet ndërkombëtare ratifikohen me dy të tretat e votave.

Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituuohet edhe në përpjekjen e pestë të mërkurën më 23 prill.

Deputetët do të mblidhen edhe të premten më 25 prill në një tentim të radhës për të votuar kryeparlamentarin.

Ky proces ka ngecur pasi Lëvizja Vetëvendosje – partia e parë që ka dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit – nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit.

Partitë që deri më tani ishin në opozitë nuk e mbështesin emrin e Haxhiut për këtë pozitë, ndërkaq nga LVV-ja kanë deklaruar se nuk e ndërrojnë propozimin.

Advertisement