Politike
U akuzua se po bllokon llogaritë e protestuesve/ Reagon Rama: As nuk kemi aftësinë…
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me raportimet për kufizimin apo çaktivizimin e llogarive në rrjetet sociale të disa prej drejtuesve dhe mbështetësve të protestës qytetare në Tiranë.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje të qeverisë, duke deklaruar se institucionet nuk kanë asnjë rol në mbylljen apo kufizimin e llogarive në platformat sociale.
“Le të jem absolutisht i qartë: ne nuk kemi të bëjmë fare me çaktivizimin ose kufizimin e ndonjë llogarie në mediat sociale, as nuk kemi aftësinë teknike për të kryer një operacion të këtij lloji”, shkruan kryeministri.
Rama ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas tij, është paraqitur çështja nga disa prej organizatorëve dhe mbështetësve të protestës. Ai e cilëson si një përpjekje për t’ia faturuar qeverisë një situatë për të cilën thotë se nuk mban përgjegjësi.
Në reagimin e tij, kryeministri përdor një gjuhë të ashpër ndaj organizatorëve, duke i cilësuar si “agjitatorë” dhe duke i akuzuar për propagandë politike. Rama shprehet se është e papranueshme që persona që paraqiten si “demokratë evropianë” të ngrenë aludime të tilla ndaj qeverisë.
Më tej, Rama ngre dyshime mbi burime të tjera që, sipas tij, mund të kenë lidhje me kufizimin e llogarive. Ai e lidh këtë situatë me protestat e njohura si “Revolucioni Flamingo” dhe përmend edhe zhvillime të mëparshme në Ceuta, duke hedhur hipotezën se mund të ketë një përpjekje për t’i dhënë sërish jetë një lëvizjeje proteste që, sipas tij, tashmë është shuar.
Rama e mbyll reagimin duke përsëritur se qeveria nuk ka ndërhyrë në llogaritë e protestuesve dhe se nuk disponon kapacitetin teknik për të kryer një operacion të tillë.
Deklaratat e kryeministrit vijnë në një kohë kur çështja e kufizimit të llogarive në rrjetet sociale është kthyer në një tjetër pikë përplasjeje mes qeverisë dhe drejtuesve të protestës në Tiranë.