Politike
Çdo votë nën mbrojtje/ Celibashi dhe Altin Duumani ngritin alarmin në qendrën operative të KQZ-së

Në mjediset e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) u zhvillua sot një takim i nivelit të lartë mes Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi; Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, Olsian Çela, Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Qëllimi i takimit ishte rritja e koordinimit ndërinstitucional në funksion të garantimit të integritetit të zgjedhjeve dhe forcimit të mekanizmave për parandalimin dhe ndëshkimin e çdo forme shkeljeje të ligjit zgjedhor.
Në fokus të diskutimeve ishin masat e përbashkëta që institucionet po ndërmarrin për të garantuar një proces zgjedhor të qetë, të sigurt dhe të besueshëm në të gjitha fazat e tij. Pjesëmarrësit ndanë informacion mbi masat konkrete organizative dhe operacionale të vendosura në funksion të parandalimit të incidenteve, presioneve apo përpjekjeve për të ndikuar paligjshëm në vullnetin e zgjedhësve.
Një temë me rëndësi të veçantë ishte adresimi i shkeljeve të mundshme të ligjit zgjedhor dhe trajtimi i tyre nga organet përkatëse të drejtësisë. Gjatë takimit u prezantuan të dhëna mbi numrin e kallëzimeve të bëra deri tani në lidhje me veprime apo mosveprime që bien ndesh me Kodin Zgjedhor. U theksua rëndësia e reagimit në kohë të institucioneve përkatëse – prokurorive dhe policisë – për të hetuar çdo shkelje që mund të minojë integritetin e procesit zgjedhor dhe besimin e qytetarëve në të.
Gjithashtu, pjesë e diskutimeve ishte edhe procesi i votimit nga jashtë vendit, një komponent i ri dhe sfidues i këtyre zgjedhjeve. U diskutua mbi përgatitjet institucionale, logjistikën, sigurinë e dërgesave postare dhe garantimin e të drejtës së votës për qytetarët shqiptarë që ndodhen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Krerët e institucioneve vizituan edhe Qendrën Operacionale të Kundër Krimeve Zgjedhore në KQZ ku janë atashuar përfaqësues nga SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme. Koordinimi i strukturave dëshmon qartësisht përkushtimin e institucioneve shtetërore në ruajtjen e standardeve demokratike të zgjedhjeve dhe garantimin e të drejtës së votës për çdo qytetar, brenda dhe jashtë vendit.

