Connect with us

Kosova

Terras nis ofensivën, paralajmëron njohjen e Kosovës nga shtetet mosnjohëse të BE

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka paralajmëruar ndërmarrjen e një inciative diplomatike që synon të shtyjë përpara procesin e njohjes së Kosovës nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë bërë.

Në një intervistë të fundit, eurodeputeti estonez deklaroi se, së bashku me raportuesin kroat për Serbinë, Tonino Picula, dhe me mbështetjen e kolegëve të tjerë, janë duke shqyrtuar nisjen e dialogut me mosnjohësit për të adresuar këtë çështje.

“Nga ana jonë, ne jemi duke e konsideruar mundësinë, bashkë me kolegun tim që raporton për Serbinë, Tonino Picula, ndoshta edhe me disa të tjerë, që të nisim dialogun me këto vende dhe gjithashtu të gjejmë mënyra se si këto vende mosnjohëse të nisin procesin për ta njohur Kosovën si shtet”, theksoi Terras.

Ndryshe, pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës janë Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja – vende që shpesh e kanë lidhur pozicionin e tyre edhe me ecurinë e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Advertisement