Inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë marrë sot mostrat për të analizuar tre produkte ushqimore, që dyshohet se mund të kenë shkaktuar intoksikimin e 70 fëmijëve në kopshtin publik të qytetit të Gramshit.

Gazetari i News24, Osman Stafa, raporton nga qyteti i Gramshit se prindërit thonë se simptomat e fëmijëve kanë nisur që të premten e shkuar, por vetëm sot, AKU kanë marrë mostra të mishit të pulës, qumështit dhe të vezëve.

“Kopshti ku ndodhi helmimi është dezinfektuar. Nga ana e saj, AKU e ka gjobitur kompaninë në 2023, por ajo ka vijuar punën”, tha gazetari Osman Stafa në raportimin e tij.

Një prej prindërve, thotë se ka patur 2 vajza në kopësht dhe nga ana e strukturave drejtuese janë lajmëruar që të marrin fëmijët pasi është evidentuar një rast me Salmonelë.

“Ne u kemi bërë analizat fëmijëve, por akoma s’kemi marrë përgjigjen e tyre. Nuk kemi besim se çfarë ushqimi hanë fëmijët në kopësht. Na është thënë se ushqimet vijnë nga Tirana, kjo është absurde”, thotë babai i dy vajzave.

Sipas tij, ditën e hënë, prindërit kanë njoftuar protestë ndaj autoriteteve përgjegjëse për ngjarjen e rëndë.

Dyshimet e para të mjekëve dhe prindërve janë se kjo ka ndodhur nga salmonela, një bakter ky mjaft i rrezikshëm që zakonisht përhapet përmes ushqimit të kontaminuar ose higjienës së dobët.

Nga ana e saj, AKU njoftoi mbrëmë në lidhje me raportimet në media mbi një situatë të ndodhur në Kopshtin Nr. 1 në qytetin e Gramshit, se ka qenë fillimisht NJVKSH (Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor) Gramsh që ka njoftuar Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU) dhe Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) mbi këtë rast.

“Këto institucione po bashkëpunojnë me strukturat vendore për të garantuar një vlerësim të plotë dhe të kujdesshëm të situatës, deri në zbardhjen dhe konkludim të çdo rezultati”,thuhet në njoftimin e AKU-së.