Aktualitet
Autoritetet në alarm/ Mbi 150 bagëti të imta në Martanesh kanë ngordhur nga sëmundja e murtajës

Një fermë bagëtish të imta në fshatin Val të Martaneshit në Bulqizë është prekur nga sëmundja e murtajës. Burime bëjnë me dije se deri tani kanë ngordhur më shumë se 150 krerë keca, ndërsa rrezikohet e gjithë tufa e cila ka afro 700 krerë.
Në fermerë shkuar specialistët e drejtorisë rajonale të Ekstensionit Bujqësor Didër, të shërbimit veterinar në qark dhe ato pranë bashkisë Bulqizë. Deri tani është raportuar që numri i kecave të ngordhur është mbi 150, ndërsa e infektuar dyshohet të jetë e gjithë tufa.
Mjeku veterinar pranë Operatorit të Sistemit RUDA, dega Bulqizë, Gëzim Neziri tha se janë marrë mostra nga bagëtia e ngordhur dhe janë dërguar pranë ISUV në Tiranë. Nëse rezulton nga analizat që është vërtetë sëmundja e murtajës shkak i ngordhjes, do të bëhet ekzekutimi i gjithë bagëtisë për të shmangur përhapjen në ferma të tjera
Nisur nga kjo ngjarje është kërkuar informacion edhe nga fermat e tjera të cilat kanë raportuar se për momentin nuk kanë bagëti të sëmura. Bagëtia e ngordhur në fermën në fshatin Val të Martaneshit, do të groposet sipas rregullave të përcaktuara nga Insituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.

