Kosova
Kurti tha se Thaçi e Veseli japin instruksione nga qelia, Gjykata Speciale përgënjeshtron kryeministrin

Komentet e kryeministrit Albin Kurti, se ish-liderët e Ushtrisë Çlirimtare vazhdojnë të japin instruksione politike nga paraburgimi në Hagë për zhvillimet në Kosovë, kanë nxitur reagime të shumta në Prishtinë e Hagë. Megjithatë, kjo e fundit thotë se as që ndikohet.
Sipas Albin Kurtit, zyrtarët e PDK-së kur shkojnë në Hagë për të vizituar Hashim Thaçin e Kadri Veselin, marrin edhe udhëzimet se si duhet të veprojnë.
Zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep në një përgjigje për Gazetën Express lidhur me këtë çështje, ka thënë se Dhomat e Specializuara janë të fokusuar në implementimin e mandatit, duke siguruar gjykimet të drejta, të paanshme dhe të sigurta.
Griep po ashtu ka sqaruar se Gjykata Speciale s’ndikohet nga zhvillimet politike dhe komentet publike dhe ka thënë se s’komentojnë mbi to.
“Dhomat e Specializuara janë një gjykatë që është plotësisht e përqendruar në zbatimin e mandatit të saj për të siguruar gjykime të drejta, të paanshme dhe të sigurta, pavarësisht zhvillimeve politike apo komenteve publike. Ne nuk komentojmë deklarata politike”, është shprehur ajo.
Sa i përket rregullave në qendrën e paraburgimit në Hagë, Griep ka thënë se ato janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar me të drejtat e njeriut dhe se personave që ndodhen në paraburgim iu ofrohen mjete të arsyeshme për të mbajtur lidhjet me anëtarë te familjes apo persona të tjerë përmes vizitave, telefonit apo edhe letrave.
“Rregulloret që rregullojnë Qendrat e Paraburgimit janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe standardet e pranuara ndërkombëtarisht dhe u ofrojnë të paraburgosurve mjete të arsyeshme për të mbajtur marrëdhënie personale me anëtarët e familjes dhe persona të tjerë përmes vizitave, telefonatave dhe korrespondencës.
Kufizimet në vizitat dhe komunikimet midis të paraburgosurve dhe personave të tjerë vendosen vetëm me qëllim sigurimin e sigurisë dhe rendit të mirë në qendrën e paraburgimit; për të parandaluar çrregullimet ose krimin; ose për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e të tjerëve”, është shprehur Angela Griep.

