Connect with us

Bota

Gjuhët e flakëve përfshijnë Evropën/ Gjermania, Greqia dhe Turqia në luftë me flakët

Zjarret e shkaktuara nga i nxehti ekstrem janë përhapur në të gjithë Evropën, ndërsa zjarrfikësit po vijojnë betejën me flakët në shtete të ndryshme, kryesisht në Gjermani, Greqi dhe Turqi, ku komunitete të mëdha njerëzish janë evakuuar.

Në Gjermani, disa qindra zjarrfikës janë angazhuar për shuarjen e zjarreve në rajonet e Turingjisë dhe Saksonisë. Rreth 650 pjesëtarë të emergjencave civile u angazhuan që prej së shtunës, pasi alarmet për zjarr u shpërndanë nga autoritetet përmes aplikacioneve të telefonave celularë. Ndërsa në Saksoni situata konsiderohet e stabilizuar, autoritetet në Brandenburgun fqinj janë në alarm, pasi ka shumë gjasa që të shpërthejnë zjarre.

Ndërkohë, në Greqi, zjarrfikësit kanë bërë progres në frenimin e zjarreve që ranë pasditen e së premtes në rajonin lindor të Atikës, njoftuan zyrtarët vendas. Ata urdhëruan evakuimin e banorëve nga rajonet Agios Dimitrios, Galazia Akti dhe Altea, duke i lajmëruar përmes SMS-ve në telefonat celularë. Shërbimi i emergjencave angazhoi rreth 120 zjarrfikës, të mbështetur nga 8 helikopterë dhe 8 avionë të vegjël, për të vënë nën kontroll flakët.

Edhe në Turqi, zjarrfikësit kanë arritur të vënë nën kontroll zjarre të ndryshme, të rëna kryesisht në provincën e Izmirit. Të ndihmuara nga erërat, zjarret përfshinë shtëpi, duke i bërë ato të pabanueshme dhe duke detyruar qytetarët e shumë lagjeve të evakuoheshin.

Advertisement