Kronike
“Po shkruante në telefon kur e vrava”/ Dëshmia tronditëse e Skerdi Tase për ekzekutimin e Emiliano Ramazanit

Vijon dëshmia tronditëse e të penduarit të drejtësisë Skerdi Tase në kuadër të dosjes së bujshme hetimore “Plumbi i Artë”. Në seancën e radhës në GJKKO, Tase rrëfeu me detaje planifikimin dhe ekzekutimin e Emiliano Ramazanit në Elbasan, në korrik të vitit 2020.
Sipas tij, në fillim kishte një tjetër objektiv, por grupi vendosi të përqendrohej te Ramazani, për të cilin u ra dakord me pagesë 130 mijë euro.
“E dinim makinën e Emilianos, kishim edhe foto. Nuk po e gjenim dot në Elbasan, prandaj çdo ditë shkonim atje nga Tirana, me makina me qira. Kishim si opsione shtëpinë, palestrën apo lokalin ku frekuentonte,” tha Tase.
Ai tregoi se për atentatin përdorën një makinë të marrë nga Nuredini, të cilën e kishin përdorur edhe më herët për një tjetër tentativë vrasjeje. Automjeti ishte ruajtur në një magazinë në Bradashesh, që sipas Tases i përkiste Arben Lazës.
“Ditën e ngjarjes e pamë që palestra nuk ishte vend i mirë. E pritëm te shtëpia, në rrugën kryesore. Ai erdhi me një Ford Fiesta. Kur parkoi dhe fiku makinën, unë u afrova me vrap, i dola nga ana e pasagjerit dhe e qëllova disa herë në kokë dhe qafë. Ai nuk më pa, po merrej me telefon. Atentati ndodhi brenda oborrit të pallatit,” tha ai.
Tase rrëfeu se pas krimit makina dhe dy armë u dogjën, ndërsa armët që përdori i mori me vete dhe i fshehën pranë Peqinit, “tek ca betoniere”.
“Riku i dërgoi foto të armëve Nuredinit në SKY. Ato do çoheshin diku tjetër për t’ia faturuar dikujt tjetër ngjarjen. Më pas na kontaktoi një vajzë me emrin Klara për paratë. Unë mora 25 mijë euro, ndërsa në rregull do ndanim 60 me Rikun,” tha Tase.

