Pas debateve të shkaktuara nga aksioni i fundit i qeverisë për shembjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit, Kryeministri Edi Rama ka folur sot për situatën dhe kritikat për mungesën e ndërhyrjes së hershme nga autoritetet.

Nga Berati, ku po zhvillonte një takim me përfaqësues të sektorit të teknologjisë dhe inovacionit, kreu i qeverisë deklaroi se zinxhiri institucional nuk ka funksionuar dhe fajësoi drejtëpërdrejt prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli, për mosveprim.

“Ata që duhet t’i shikonin, nuk kanë bërë gjënë e duhur. Një strukturë e ka çuar çështjen në Prokurori, por prokurorja ka thënë se nuk ka problem. Kjo është arsyeja pse ndërtimet nuk u ndaluan më herët. Prokurorja ka thënë këtu s’ka probleme” tha Rama

Kryeministri theksoi se ndërtimi i një administrate funksionale si në vendet e BE-së ende nuk është arritur dhe për këtë arsye, vendi ka nevojë të mbështetet më shumë në teknologji.

“Ka shumë zhurmë për auditimin e fondeve të bujqësisë në Shqipëri, por edhe në disa vende të BE problemet janë reale sepse gjithmonë është ‘njeriu në mes’. Teknologjia mund të jetë zgjidhja,” vijoi ai, duke përmendur dronët, satelitët dhe Agjencinë e Gjeo-referencave si mjete që tashmë ekzistojnë, por që mungesa e një sistemi të integruar informacioni vazhdon të jetë pengesë.

Sipas Ramës, vendi ka kapacitetet për të monitoruar ndërtimet në kohë reale dhe shmangur ndërhyrjet e vonuara, por është e nevojshme të krijohet një sistem inteligjent që të minimizojë varësinë nga faktori njerëzor dhe abuzimet e mundshme.