Connect with us

Aktualitet

Vuante nga një sëmundje, ndahet nga jeta në moshën 77-vjeçare prifti i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare në Elbasan

Mbrëmjen e së shtunës, më 19 korrik, në orën 22:00, pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë, është ndarë nga jeta në moshën 77-vjeçare At Nikolla Marku, prifti i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare “Shën Maria” në Elbasan.

Figura e tij është e njohur për përkushtimin disa dekadësh në shërbim të besimit dhe komunitetit, duke e kthyer kishën në lagjen Kala të Elbasanit në një qendër shpirtërore të gjallë dhe të hapur për çdo besimtar.

Nikolla Marku mbajti një qëndrim të palëkundur në mbrojtje të autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, duke u përplasur hapur ndër vite me kreun e Kishës Ortodokse, Anastas Janullatos, të cilin e akuzonte për uzurpim të kryesimit të kishës shqiptare dhe ndikim të tepruar grek në çështjet fetare vendase.

Ai konsiderohej një zë i pavarësisë fetare dhe i dinjitetit kombëtar, shpeshherë i vetmuar në qëndrimet e tij, por gjithmonë i vendosur në mbrojtje të trashëgimisë ortodokse shqiptare.

Pritja për ngushëllime po bëhet në Kishën “Shën Maria” në Elbasan, aty ku shërbeu për gjithë jetën, ndërsa ceremonia e varrimit do të zhvillohet sot në orën 17:00, me pjesëmarrjen e besimtarëve, qytetarëve dhe atyre që ndanë me të vlerat e besimit dhe të identitetit.

At Nikolla Marku do të kujtohet si një figurë e rrallë, që nuk heshti përballë padrejtësive dhe që i shërbeu Zotit dhe kombit me përkushtim deri në fund.

Advertisement