Connect with us

Bota

Alarm për përfshirjen e të miturve në prostitucion, autoritetet zvicerane kërkojnë masa urgjente

Një fenomen shqetësues po merr përmasa alarmante në Zvicër, veçanërisht në kantonin e Gjenevës, ku një numër në rritje të të miturve – vajza dhe djem – po përfshihen në veprimtari të prostitucionit. Sipas raportimeve nga RTS, të rinjtë veprojnë në disa raste në mënyrë të pavarur përmes platformave sociale, ndërsa të tjerë bien viktimë e rrjeteve të organizuara të shfrytëzimit.

Në fillim të muajit maj, autoritetet zbuluan një rast të rëndë në një berberhane në Gjenevë, ku pesë persona u arrestuan dhe disa të mitur u identifikuan si viktima të abuzimit seksual. Një prej tyre ishte më pak se 15 vjeç, sipas Tribune de Genève dhe 24 Heures.

Fenomeni nuk kufizohet vetëm në Gjenevë. Edhe në kantonet e tjera frëngjishtfolëse të vendit, është vërejtur rritje e rasteve ku të miturit ofrojnë shërbime seksuale përmes mediave sociale si Instagram dhe Snapchat, shpesh për arsye financiare apo për të shmangur kontrollin prindëror.

Ekspertët dhe profesionistët e fushës së mbrojtjes së të miturve paralajmërojnë për mungesë koordinimi dhe kapacitete të pamjaftueshme për përballimin e kësaj situate. Pénélope Giacardy, drejtoreshë e shoqatës Aspasie, e cila mbështet tradicionalisht punonjëset e seksit të rritura, theksoi se realiteti është ndryshuar ndjeshëm.

“Po përballemi me një sfidë të re, që kërkon qasje të reja. Mungesa e trajnimit dhe e personelit të përgatitur në shërbimet për mbrojtjen e fëmijëve po e bën situatën edhe më të ndërlikuar,” tha Giacardy për RTS.
Sipas saj, përfshirja e të miturve në prostitucion nuk është më një rastësi e rrallë, por një dukuri që po kthehet në realitet të përditshëm.

Autoritetet lokale dhe federale po përballen me kërkesa të shtuar për ndërhyrje të shpejtë dhe të koordinuar. Ekspertët kërkojnë rritje të stafit, trajnime të specializuara dhe zhvillimin e strategjive të qarta për parandalim dhe mbështetje afatgjatë për të rinjtë e prekur nga ky fenomen shqetësues.

Advertisement