Politike
Dy “thesaret” e SPAK në çështjen Veliaj

Të paktën dy persona kanë vendosur që të bashkëpunojnë me drejtësinë për t’u bërë “të penduar” për çiftin Xoxa-Veliaj. E para që vendosi të tregonte gjithë ato që dinte ishte Adela Kondakçiu, financiere në kompaninë e Ajola Xoxës. Pas disa muajsh hetime, ajo vendosi që të nënshkruante një “marrëveshje” me drejtësinë më 25 prill 2025.
Adela Kondakçiu ka punuar për një kohë të gjatë, që prej vitit 2018, si financiere e Ajola Xoxës por së fundmi ishte hequr nga puna pasi kishte shprehur pakënaqësi për pagesat. Ajo u mor në pyetje më 10 dhjetor 2024, 4 ditë pasi i ishte bërë kontroll personal më 6 dhjetor, kontroll zyre si dhe i ishte sekuestruar celulari. Gjatë marrjes së saj në pyetje, ajo pretendoi se kishte pasur presion nga Xoxa, pra shefja e saj, por edhe avokati i çështjes.
Pas saj, një tjetër dëshmitar është bërë “i penduar” për Ajola Xoxën dhe kryebashkiakun e arrestuar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn. Në këtë rast bëhet fjalë për Gentian Sulën. Ky i fundit është personi që fillimisht mori përsipër shumën prej 220 mijë eurosh të gjetur në firmën “Partners Law”. Por më pas, gjatë hetimeve ndryshoi qëndrim dhe bashkëpunoi me SPAK. Pasi vendosi që të tregonte të gjithë ato që dinte, Sula ka bërë me dije se shumën 115 000 euro, e gjetur dhe sekuestruar në firmën “Partners Law”, nuk ishin paratë e tij. Madje shtoi kontrata i ishte kërkuar si favor nga ana e Ajola Xoxës.
Deri më tani, nga të dhënat e mësuara nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dy janë “të penduarit” që kanë ndihmuar prokurorët në “kopsitjen” e dosjes. Por ndërsa njëri ishte në paraburgim, tjetra në “detyrim paraqitje”, asnjë prej tyre nuk dinte se cilët ishin “tradhëtarët”. Këtë detaj, Ajola Xoxa dhe Erion Velaj e kanë marrë vesh vetëm kur janë marrë si të pandehur. Por teksa tashmë kemi dy emra, nuk dihet nëse ka dhe të tjerë./ZËRI

