Kronike
DINAMIKA- Vrasja e 52-vjeçares, kishte 8 vjet e lidhur me vrasësin, autori i kishte marrë 20 mln lekë

Zbardhet dinamika e plotë e vrasjes së 52-vjeçares Kozeta Teço, e cila u gjet pa shenja jete në banesën e saj mëngjesin e sotëm, rreth orës 06:00 të mëngjesit në një kohë kur shtëpia ishte përfshirë nga flakët. Fillimisht u dyshua se kishte humbur jetën nga asfikësia, por më pas u zbuluan shenjat e thikës në qafë, duke nxjerrë në dritë të vërtetën. Kozeta Teço është vrarë nga i dashuri i saj, Ilirjan Selmani. Ky i fundit më pas, i vuri flakëne banesës për të zhdukur gjurmët e tij por nuk ia doli dot.

Autori i dyshuar Ilirjan Selmani, i cili dyshohet se kishte lidhje intime me Kozeta Teçon, fillimisht e ka vrarë 52-vjeçaren, më pas ka fshirë gjakun duke pastruar vendin e krimit dhe në fund i ka vënë zjarrin ambienteve të shtëpisë. Burime bëjnë me dije se i riu ka ndezur disa vatra zjarri në banesë për të humbur gjurmët. Por krimi nuk ishte perfekt. Ai u kap nga kamerat e sigurisë duke hedhur diçka në koshin e mbeturinave aty pranë.
Brenda koshave nuk kishte gjë tjetër veç peshqirëve dhe kartopecetave me gjakun e viktimës. Ato ishin përdorur Ilirjan Selmani për të zhdukur provat dhe për të pastruar vendin e ngjarjes.
Tashmë, autori i cili ka pasur një lidhje intime 8-vjeçare me viktimën është shoqëruar dhe po merret në pyetje për të zbardhur motivin që shtyu të riun nga Pogradeci të vriste partneren e tij. Për autorin dihet se ai punonte herë pas here në ndërtim apo në Greqi, rezulton gjithashtu të ketë qenë përdorues i lëndëve narkotike. Po ashtu, është zbuluar se 37-vjeçari vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe përfitonte pagesë invaliditeti për shkak të gjendjes së tij.
Burime pranë hetuesve bëjnë me dije se Teço, në biseda me persona të afërt, kishte pohuar se Selmani i kishte marrë rreth 20 milionë lekë në total gjatë viteve të lidhjes. Paratë, sipas saj, i vinin nga motrat që jetonin në Greqi dhe Tiranë. Madje kjo e fundit e kishte vizituar disa orë para se e motra të vritej dhe ishte kthyer për në Tiranë. Se çfarë kanë diskutuar me njëra-tjetrën, ende nuk dihet.
Ndërkohë, teksa e kishte vrarë, Selmani është takuar me disa të njohur të tij, të cilëve u ka pohuar se kishte vendosur të ndahej nga Kozeta me pretendimin se ajo kishte krijuar një lidhje tjetër. Por e gjitha ishte një alibi që nuk e shpëtoi dot nga prangat.

