Aktualitet
Akuzat/ Skandali i Bankers, dalin para Apelit të arrestuarit, ambasada kineze nuk lejohet në sallë

Të arrestuarit në kuadër të hetimeve për skandalin financiar që përfshin kompaninë “Bankers Petroleum” dolën sot para Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, për të kundërshtuar masat e sigurisë të caktuara më herët nga Gjykata e Fierit.
Dhjetë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të kompanisë, mes tyre edhe ish-drejtori Leonidha Çobo dhe drejtori aktual i kompanisë, shtetasi kinez Hongping Xiao, kanë kërkuar ndryshimin e masës së “arrestit me burg”, që u është caktuar për akuzat e rënda që lidhen me mashtrime financiare dhe abuzim me detyrën.
Ndërkohë, përfaqësues të ambasadës së Kinës në Tiranë, të cilët ishin të pranishëm jashtë ambienteve të gjykatës për të ndjekur nga afër procesin, nuk janë lejuar të marrin pjesë në seancë, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
Të arrestuarit dhe personat në kërkim akuzohen nga Prokuroria për disa vepra penale të parashikuara në Kodin Penal shqiptar, përfshirë:
“Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” (neni 144/a), “Fshehja e të ardhurave” (neni 180/3), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” (neni 287), “Shpërdorimi i detyrës” (neni 248) dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore” (neni 181/a).
Sipas dosjes së hetimit, dyshohet se zyrtarët e “Bankers” kanë ngritur një skemë të sofistikuar mashtrimi për të shmangur detyrimet tatimore, duke dëmtuar rëndë interesat e shtetit shqiptar. Prokuroria dyshon se skemat e krijuara kanë prodhuar fitime të mëdha të padeklaruara, të cilat më pas janë legalizuar përmes rrugëve të pastrimit të parave.
Gjykata e Apelit pritet të shprehet në ditët në vijim për kërkesat e të arrestuarve, ndërkohë që hetimet për këtë çështje vazhdojnë në disa pista të tjera për përfshirje zyrtarësh tatimorë dhe institucione të tjera shtetërore.
Skandali i “Bankers” mbetet aktualisht një nga çështjet më të rëndësishme që po trajton drejtësia shqiptare.

