Bota
Kryeministrja e Danimarkës zbulon kushtin e vetëm për njohjen e Palestinës

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen ka bërë me dije se vendi i saj nuk e përjashton njohjen e një shteti palestinez, me kusht që ai të jetë demokratik. Frederiksen gjatë një konferencë për shtyp u shpreh se Danimarka është pro njohjes së Palestinës dhe shtoi se padyshim duhet të sigurohen që të jetë një shtet demokratik.
Të dielën 10,000 njerëz dolën në rrugë për të kërkuar përfundimin e luftës në Gaza dhe për t’i bërë thirrje Danimarkës të njohë një shtet palestinez. Në një intervistë me gazetën Jyllands-Posten në mes të gushtit, Frederiksen kishte vlerësuar se homologu i saj izraelit, Benjamin Netanyahu është tani vetë problemi, duke gjykuar se qeveria e tij po shkonte tepër larg.
Sulmi i 7 tetorit vrau 1,219 persona në anën izraelite, shumica e tyre civilë, sipas një llogaritjeje të AFP bazuar në shifra zyrtare. Sulmi hakmarrës i Izraelit ka vrarë të paktën 62,744 persona në Gaza, shumica e tyre civilë, sipas shifrave nga Ministria e Shëndetësisë e qeverisë së Hamasit në Gaza, të cilat konsiderohen të besueshme nga OKB-ja, dhe ka çuar në një katastrofë humanitare.

