Connect with us

Bota

16 vjeçari kreu vetëvrasje pas konsultimit me ChatGPT/ Prindërit e adoleshentit padisin Open AI

Prindërit e një djali 16-vjeçar nga Kalifornia, i cili kreu vetëvrasje, kanë paditur OpenAI-së, duke pretenduar se ChatGPT-ja i ka dhënë djalit të tyre udhëzime të hollësishme për vetëvrasje dhe e ka nxitur atë drejt vdekjes.

Matthew dhe Maria Raine argumentojnë në padinë e dorëzuar të hënën në një gjykatë të shtetit të Kalifornisë se ChatGPT-ja kishte ndërtuar marrëdhënie të ngushtë me djalin e tyre, Adam, gjatë disa muajve më 2024 dhe 2025, para se ai t’ia merrte vetes jetën.

Në padi pretendohet se në bisedën e tyre të fundit, më 11 prill 2025, ChatGPT-ja e ndihmoi Adamin të vidhte vodka nga prindërit dhe i ofroi një analizë teknike të lakut që ai e kishte lidhur, duke ia konfirmuar se “mund ta mbante një njeri të varur”.

Adam u gjet i vdekur disa orë më vonë duke përdorur të njëjtën metodë. Në padi përmenden si të paditur OpenAI dhe shefi ekzekutiv i saj, Sam Altman.

Sipas padisë, Adam filloi ta përdorte ChatGPT-në si ndihmues për detyrat e shkollës, por dalëngadalë zhvilloi varësi të pashëndetshme ndaj platformës.

Padia përfshin pjesë nga bisedat, ku ChatGPT-ja thuhet se i kishte thënë Adamit “nuk i detyrohesh askujt të mbijetosh” dhe i kishte ofruar ndihmë për të shkruar letrën e vetëvrasjes.

Familja Raine kërkon dëmshpërblim dhe i kërkon gjykatës të urdhërojë masa sigurie, duke përfshirë ndërprerjen automatike të çdo bisede që përfshin vetëdëmtim dhe aktivizimin e kontrolleve prindërore për përdoruesit e mitur.

Në përgjigje të rastit që përfshin ChatGPT-në, organizata jofitimprurëse amerikane Common Sense Media, e cila shqyrton dhe vlerëson mediat dhe teknologjinë, tha se tragjedia e familjes Raine konfirmon se “përdorimi i AI për shoqëri, përfshirë përdorimin e chatbot-ëve si ChatGPT për këshillim të shëndetit mendor, është rrezik i papranueshëm për adoleshentët”.

Advertisement