Politike
“Shqipëria e ka vendin në BE”, McGrath pas takimit me Ramën
Komisioneri europian për Demokracinë, Drejtësinë, Sundimin e Ligjit dhe Konsumatorët, Michael McGrath, e ka cilësuar Shqipërinë si një nga vendet pararendëse në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale pas takimit me kryeministrin Edi Rama, McGrath u shpreh se Shqipëria “e ka vendin në BE”, ndërsa theksoi se vijimi i reformave dhe ruajtja e ritmit të punës mbeten të rëndësishme për procesin e integrimit.
“Shqipëria e ka vendin në BE dhe është një nga vendet pararendëse në procesin e anëtarësimit në BE”, shkroi McGrath.
Sipas tij, Bashkimi Europian do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në hapat e mëtejshëm drejt anëtarësimit. Në takimin me Ramën, sipas komisionerit europian, u diskutua përparimi i vendit në zbatimin e reformave në drejtësi dhe në fushën e sundimit të ligjit.
McGrath i cilësoi këto fusha si “spirancën politike” të procesit të anëtarësimit, duke vlerësuar gjithashtu progresin e bërë nga qeveria shqiptare deri tani.
“Ka një historik të fortë progresi dhe një ambicie të qartë. Tani, ky ritëm duhet të ruhet për të dhënë rezultate të qëndrueshme dhe të pakthyeshme”, u shpreh komisioneri europian.
Deklaratat e McGrath vijnë në një periudhë kur Shqipëria vijon negociatat për anëtarësimin në BE, me zbatimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve të anëtarësimit si pjesë e procesit të integrimit.