Politike
Fadromat në aksion/ Balliu: Me prishjet, Rama po tenton të heq vëmendjen nga vjedhja e votave

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka komentuar aksionin qeveritar të prishjeve të ndërtimeve në kulmin e sezonit turistik, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe me prapavijë korruptive.
Sipas tij, në të gjitha rastet e mëparshme kur janë kryer prishje, qytetarët shpesh kanë fituar gjyqet pasi veprimet janë bërë në shkelje të ligjit. Balliu akuzoi se pas këtyre aksioneve ka patur gjithmonë motive korruptive, ku zyrtarët kanë kërkuar rryshfet për të lejuar ndërtimet të qëndrojnë.
Ai theksoi se zgjedhja e kohës për prishje – pikërisht në periudhën kur vendi mbahet nga turizmi – është një veprim i qëllimshëm për të dëmtuar qytetarët dhe bizneset.
“Pse pikërisht tani, kur vendi ka nevojë për stabilitet ekonomik? Pse jo në muajt e dimrit? Kjo është një strategji për të larguar vëmendjen nga aferat dhe lidhjet e qeverisë me krimin”, deklaroi Balliu.
Deputeti demokrat shtoi se prishjet nuk kanë të bëjnë as me ligjin dhe as me mbrojtjen e interesit publik, por vetëm me mbulimin e skandaleve të rënda që dalin çdo ditë për lidhjet e politikës me bandat dhe manipulimin e zgjedhjeve.
“Qeveria nuk ka ndërmend të ndalet. Do të vazhdojë me të njëjtën egërsi ndaj qytetarëve, do të vazhdojnë prishjet e reja vetëm që të ndryshohet tema e debatit publik. Kjo është goditje direkte ndaj qytetarëve dhe bizneseve që mbajnë ekonominë e vendit”, u shpreh Balliu.
Në këtë mënyrë, prishjet e ndërtimeve po shndërrohen në një tjetër shfaqje të qeverisë, e cila kërkon të mbulojë aferat duke i bërë qytetarët të paguajnë çmimin.
Balliu: Po t’i referohemi historikut, në tërësinë e vet të gjithë aksionet për prishje dhe për shkatërrim, kanë pasur një prapavijë korruptive, duke filluar këtu që nga shtëpitë që janë prishur edhe në shkelje të ligjit në disa raste dhe qytetarët i kanë fituar ato çështje. E njëjta gjë vlen për rastin konkret, duhet të kemi parasysh se nuk është një qeveri e ka ardhur sot dhe po i referohet shkeljeve të një qeverie tjetër, pararendëse. Në të gjithë rastet, nëse këto janë prishur se ka pasur shkelje, përpara, ku janë përgjegjësit për shkeljet që janë bërë? Qytetarët, biznesi në të gjitha format do t’i përgjigjet sistemit që ka me taksat përkatëse. Nëqoftëse aty kanë shkuar me dhunë, këta që sot shkojnë për ta prishur, kanë shkuar për të kërkuar rryshfet që ato shtëpi të rrinë aty, dhe paskan qenë të paligjshme, sipas kryeministrit, ku janë përgjegjësit e kësaj? Në të gjithë rastin është një nonsense, dhe ka dhe diçka tjetër, mund t’i ndërmarrësh këto aksione por përse duhet të zgjedhësh kohën e turizmit kur ky vend mbahet me turizmin. Pse duhet ta zgjedhësh pikërisht në këtë moment, në këtë kohë, çfarë të shtyn ty ndërkohë që atje ka pushues ti vjen me fadroma… Sepse thua ti që këtu kanë ardhur turistët, që ka ardhur gjithë bota të shikojë Shqipërinë, atëherë ti në këtë moment përse e ndërmerr këtë aksion? Ndërmere në dhjetor, ndërmere në janar, shkurt. Ke pasur 12 vite kohë në fund të ditës, përse pikërisht tani në kulmin e sezonit turistik.? Se nuk ishte çështje as e sezonit, as e ligjit që jo e jo këta… por ishte thjesht që të ndryshojmë vëmendjen nga provat e faktet e tmerrshme që dalin këtu për lidhjet e politikës me krimin, sesi bandat kanë futur duart në kutitë e votimit, tani si ta ndryshojmë këtë narrativë? Hajde po përdorim qytetarët, të prishim investimin, të prishim biznesin. Dhe këto do të vazhdojnë, se në muajt që do të vijnë, të tjera afera do të dalin, të tjera prova do të dalin dhe qeveria do të bëhet edhe më e egër, duke kërkuar për të ndryshuar temën, do të bëhet edhe më e egër në raport me qytetarët, do fillojnë prishje të reja…

