Connect with us

Aktualitet

Dy të moshuar u gjetën pa jetë në banesë, rritet kërkesa për azil në Korçë

Përgjatë ditëve të fundit, rastet e të moshuarve, të cilët gjenden të pajetë dhe të dekompozuar në banesat e tyre në Korçë dëshmojnë realitetin tronditës që jeton kjo grupmoshë.

Të vetmuar, të braktisur, ose me fëmijët në emigracion, të moshuarit përballen me vështirësi të mëdha, nga nevojat më minimale për pazare ushqimore e deri tek ato jetiket.

Në qarkun e Korçës, e vetmja strukturë, ku të moshuarit mund të strehohen dhe të marrin kujdes është një qendër rezidenciale me kapacitet prej 31 personash, e cila është mundësuar nga një organizatë jofitimprurëse. Lista e gjatë e pritjes dëshmon nevojën e madhe për struktura të tilla, ndërkohë që shumë të moshuar detyrohen të gjejnë zgjidhje të tjera apo ndërrojnë jetë duke pritur radhën.

“Ka persona që presin më shumë se një vit dhe kur i marrim në telefon, një pjesë e tyre kanë ndërruar jetë, një pjesë tjetër kanë gjetur zgjidhje, pasi kanë pasur raste urgjente”, shprehet punonjësi social, Kostika Zdruli.

Përballë situatës kritike, Zdruli thotë se ka nevojë që vëmendja institucionale të orientohet drejt mbështetjes për moshën e tretë me politika dhe strategji të mirëmenduara.

Ndërsa popullsia vazhdon të plaket, Shqipëria përballet me domosdoshmërinë e krijimit të më shumë qendrave rezidenciale dhe shërbimeve sociale që t’u garantojnë të moshuarve jo vetëm kujdesin e duhur, por edhe dinjitetin e munguar në vitet e fundit të jetës së tyre. Deri atëherë, jetët e humbura në vetmi dhe harresë mbeten një dëshmi e qartë e boshllëqeve që institucionet duhet të mbushin sa më shpejt.

Advertisement