Aktualitet
SKANDAL në Tiranë/ UKT lë pa ujë ambasadat e huaja, ambasadori i BE i drejtohet me shkrim kësaj ndërmarrje

Rezidenca e ambasadorit të Bashkimit Europian dhe ambasadave të shteteve të Spanjës, Austrisë, Greqisë, Suedisë, Rusisë, Japonisë, Katarit dhe disa të tjera furnizohen nga ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve e Bashkisë së Tiranës vetëm 1 orë e 30 minuta në ditë.
Prej disa muajsh, ambasadorët dhe familjet e tyre po vuajnë si asnjëherë tjetër më parë mungesën ekstreme të ujit në rezidencat e tyre.
Në disa prej tyre ndodh që uji shkon vetëm një herë në 2 ditë apo një herë në 3 ditë.
UKT deklaron se këtyre vilave u takon vetëm 1 metër kub ujë në ditë, një sasi kjo tejet minimale dhe e pamundur për të përballuar jetesën në një vilë.
Edhe pse ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve deklaron se nuk u takon më shumë se 1 metër kub ujë në ditë, as kjo sasi nuk furnizohet.
Kompleksi i vilave ku janë vendosur këto seli diplomatike përbëhet nga 155 të tilla, ndërkohë që sasia e ujit që furnizohet është vetëm 110 metër kub, në një interval kohor prej vetëm 1 orë e 30 minuta.
Pasi po vuajnë prej më shumë se 3 muajsh mungesën e ujit, stafi i rezidencës së ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë i është drejtuar edhe me shkrim ndërmarrjes UKT për të kërkuar furnizim me ujë.
Por ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve kthen përgjigjen standarde më datë 4 shtator se “po merren masa për përmirësimin e situatës”.
Edhe pas kësaj përgjigjeje, kur shkuam pranë rezidencave të këtyre ambasadave, administratori i kompleksit na deklaroi se situata vazhdon të jetë e njëjtë, me mungesën e ujit dhe furnizimi është vetëm 1 orë e 30 minuta në ditë.
Mungesa e skajshme e ujit në këto rezidenca ndodh për herë të parë në 10 vitet e fundit. Dhe UKT nuk jep asnjë shpjegim pse ndodh dhe asnjë zgjidhje për furnizimin në ditët në vazhdim, duke u shndërruar kështu në problem edhe për selitë diplomatike të vendosura në Tiranë, si asnjëherë më parë.

