Kosova
Divorci me Amerikën/ Serwer propozon që Kosova ‘të martohet’ me Athinën, Tokion dhe Seulin

Daniel Serwer, profesor universitar dhe vëzhgues i zhvillimeve në rajon, ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes amerikane për Kosovën, duke vënë theksin sidomos te prania e trupave në terren, në kuadër të Forcës së NATO-s-KFOR.
“Mbështetja e SHBA-së është thelbësore në shumë drejtime, por më e rëndësishmja lidhet me praninë e ushtarëve amerikanë në terren. Kosova do të dëshirojë t’i mbajë ata aty. Dhe, unë mendoj se duhet të mbeten aty”, deklaroi ai për Radion Evropa e Lirë.
Ai sugjeroi që Kosova të përforcojë marrëdhëniet edhe me aleatë të tjerë ndërkombëtarë, sidomos në një kohë kur SHBA-ja është e përqendruar në çështje të tjera globale. Japonia, Koreja e Jugut dhe Greqia, sipas tij, mund të jenë partnerë të Kosovës.
“Ka opsione të tjera, edhe pse asnjëri nuk është i mirë si amerikanët. Por, nëse bashkoni një grup miqsh, mund ta kompensoni disi humbjen e vëmendjes amerikane. Nuk jam i sigurt nëse Qeveria e Kosovës po e bën këtë, dhe është e vështirë për një qeveri në detyrë ta bëjë këtë”, shtoi mes tjerash Serwer teksa komentoi zhvillimet e fundit.
Ndryshe, raportet mes Prishtinës dhe Uashingtonit janë dobësuar ndjeshëm kohët e fundit, kryesisht për shkak të bindjes së administratës amerikane se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka treguar gatishmëri për bashkëpunim dhe koordnim, pavarërisht thirrjeve, rekomandimeve dhe përkushtimit amerikan ndaj Kosovës.

