Kronike
Makina në mes të rrugës dhe njolla gjaku, zbulohen pamjet nga vendngjarja: Trupi i biznesmenit italian u gjet…

Makina në mes të rrugës dhe njolla gjaku, kjo është pamje nga vendi i ngjarjes në Tepelenë, ku mbeti i vrari biznesmeni italian 44-vjeçar, Edoardo Sarchi. Siç shihet edhe në pamjet e mëposhtme, automjeti tip “Volkswagen” i 44-vjeçarit, ka mbetur në mes të rrugës, teksa vendi është rrethuar nga policia. Shumë pranë makinës u konstatuan njolla gjaku, të cilat i përkasin viktimës. Nga ana tjetër u sekuestrua edhe një makinë, e cila dyshohet se i përket autorit të ngjarjes.
Biznesmeni italian Edoardo Sarchi u gjet i vrarë pak pas mesnate në fshatin Salari, në Tepelenë. Sarchi jetonte prej 20 vitesh në Tiranë dhe shpesh shkonte në Salari të Tepelenës për shkak të pasionit të tij për gjuetinë. Edhe mbrëmjen e së premtes dyshohet se kishte udhëtuar drejt fshatit Salari për gjah. Trupi i tij u gjet rreth orës 00:30, në anë të rrugës, ndërsa pak metra më tej u identifikua edhe automjeti i tij.
Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta dhe deri tani nuk përjashtohet asnjë pistë. Ndërkohë tre persona janë shoqëruar në polici, ndërsa bëhet me dije se policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar me inciale G.B. Ky i fundit, bëhet me dije nga burimet për mediat se njihet si përdorues i lëndëve narkotike, dhe dyshohet se është fshehur në zonën mes Gusmarit dhe Nivicës. Autoritetet po hetojnë disa pista, përfshirë edhe mundësinë e një konflikti të çastit apo ndonjë prapavijë tjetër më të thellë.
Policia ka vendosur postblloqe në akse kyçe rrugore, ndërsa kontrolle intensive po ushtrohen në zonë dhe në ambiente të ndryshme të mundshme për fshehjen e autorit.

