Connect with us

Politike

Sot seanca paraprake për dosjen Veliaj, GJKKO vendos kalimin ose jo për gjykim të ish-kryebashkiakut, Xoxës dhe të pandehurve të tjerë

Sot, në orën 12:00, në GJKKO zhvillohet seanca paraprake për Erion Veliajn, i cili u shkarkua si kryebashkiak i Tiranës, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, dhe të pandehurve të tjerë në çëshjen që SPAK e dërgoi për gjykim më 10 shtator. Gjyqtarja Etleva Deda do të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim, apo ta rikthejë në Prokurorinë e Posaçme për hetime të mëtejshme.

Veliaj do të përballet në gjykatë me pesë akuza të rënda: korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie, shpërdorim detyre, si dhe futje e sendeve të ndaluara në qeli.

Sipas SPAK, Veliaj akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, në marrëdhënie me disa kompani që, në këmbim të përfitimeve të parregullta në para dhe pasuri të paluajtshme, kanë përfituar leje ndërtimi apo fonde publike nga Bashkia e Tiranës.

Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, përballet me akuza për korrupsion pasiv në 9 raste, gjithashtu në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse. Ajo akuzohet po ashtu për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave.

Përveç Veliajt dhe Xoxës, në këtë çështje janë marrë të pandehur 28 persona dhe shoqëri, përfshirë ish-deputeten Klotilda Bushka, e cila akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Një tjetër i pandehur është Fatjon Baci, gardiani i burgut të Durrësit, i cili akuzohet se i dha telefonin celular Veliajt gjatë transferimit nga qelia në gjykatë, në dy raste të veçanta.

Ndërkohë, më 11 shtator, Veliaj ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar lehtësim të masës së sigurisë. Ky është rekursi i dytë i Veliajt ndaj masës shtrënguese të “arrestit në burg”.

Veliaj ka bërë rekurs edhe në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar lirimin nga qelia. Seanca për shqyrtimin e kërkesës është caktuar për 2 tetor, ndërsa relatore e çështjes do jetë gjyqtarja Albana Boksi.

Veliaj u shkarkua nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës më 25 shtator,.me vendim të Këshillit të Ministrave me argumentin se nuk ishte paraqitur në detyrë për më shumë se tre muaj, që nga arrestimi më 10 shkurt. Pas shkarkimit, procedura ligjore parashikon që qeveria të njoftojë Presidentin për vakancën e krijuar, i cili Brenda 48 rëve duhet të dekretojë një datë për zgjedhjet e reja në Bashkinë e Tiranës. Nga ana tjetër, Veliaj është ende brenda afatit 15-ditor për të ankimuar vendimin e shkarkimit në Gjykatën Kushtetuese, nëse zgjedh ta kundërshtojë.

Advertisement