Bota
Vaksina e Hepatitit B për foshnjat/ SHBA heq rekomandimin e përdorimit për dozën e parë
Komiteti këshillues për vaksinat pranë Departamentit të Shëndetësisë, i drejtuar nga Robert F. Kennedy Jr., ka votuar për të hequr rekomandimin universal që çdo foshnje të marrë dozën e parë të vaksinës kundër hepatitit B brenda 24 orëve të para pas lindjes.
Sipas vendimit të ri, vaksina do të rekomandohet menjëherë vetëm për foshnjat që lindin nga nëna e infektuar me hepatit B. Për të gjitha foshnjat e tjera, komiteti propozon që vaksinimi të shtyhet dhe të mos kryhet para moshës dy muajsh.
Ky ndryshim ka shkaktuar debat të fortë brenda panelit dhe në komunitetin mjekësor amerikan. Ekspertë të shëndetit publik paralajmërojnë se heqja e mbrojtjes universale mund të rrisë rrezikun e infeksionit në popullatë, duke e quajtur vaksinimin në lindje një praktikë të sigurt dhe efektive që prej dekadash.
Zëvendëskryetari i komitetit, Robert Malone, tha se votimi përfaqësonte “përplasjen mes të drejtave individuale dhe detyrimeve ndaj shoqërisë”, duke theksuar se anëtarët ishin “të ndarë mes dy pikëpamjeve të kundërta.”
Vendimi nuk është ende përfundimtar: ai duhet të miratohet nga drejtuesja në detyrë e CDC-së për t’u kthyer në udhëzim zyrtar kombëtar.