Connect with us

Shkrime

The Observer: Rama një nga liderët më pragmatikë, me aftësi  për “të menduar jashtë kornizës”

Në Bruksel, socialisti Edi Rama 61-vjeçar shihet si një nga liderët më pragmatikë që ka dalë nga ish-Lindja. Në Tiranë, ambasadorët e BE-së vlerësojnë aftësinë e Ramës për “të menduar jashtë kornizës”, edhe pse korrupsioni endemik vazhdon ta mundojë vendin dhe së fundmi edhe nivelet më të larta të vetë qeverisë së tij. Ky vlerësim,  shpjegon pse pikëpamjet e Ramës merren seriozisht.
“Vetë Evropa është jashtë ekuilibri: burokracia e saj peshon më shumë se politika dhe grindjet e brendshme duken më të mëdha se horizonti i përbashkët” thotë Rama.
Debati mbi migracionin ka qenë veçanërisht sfidues për një politikan anglofil, i detyruar sërish të denoncojë “stereotipizimin etnik” të shqiptarëve të shprehur një Sekretar i Brendshëm Britanik.
Në një intervistë për The Observer, ai nuk e fsheh sa “shqetësuese” është që këtë herë akuzat për abuzim të ligjeve të azilit nga shqiptarët nuk vijnë nga një ministër konservator, por nga një qeveri laburiste e udhëhequr nga një njeri me të cilin ai thotë se ka marrëdhënie “shumë të mira”.
“Nëse veçon një komunitet, mund të presësh që anëtarët e atij komuniteti të lëndohen, të sulmohen, të plagosen, të rrihen,” thotë ai, ndërsa gishtat i lëvizin mbi një varg rruazash. “Ne e dimë nga historia se kështu ndodh.”
Partia Socialiste e Francës, shton ai, ka kryer një “vetëvrasje spektakolare” sepse ka tentuar të imitojë retorikën e ekstremit të djathtë për emigracionin. Sipas tij, ky është një mësim paralajmërues për liderët që të qëndrojnë besnikë ndaj bindjeve dhe vlerave të tyre.
“Kur hyn në garë me të djathtën ekstreme, humbet, sepse kur vjen puna për të zgjedhur kush është më i ashpër për çështje si migracioni, instinkti është të zgjedhësh origjinalin, jo kopjen,” thotë ai. “Mendon se mund të vallëzosh me djallin? Djalli fiton që në momentin që shkel në pistë.”
Rritja e populizmit të djathtë ekstrem, nacionalizmi patriotik, përçarja dhe përshpejtimi i militarizimit të Evropës janë, sipas Ramës, forca të fuqishme që e thellojnë këtë errësirë.
Por Rama nuk ka qenë kurrë i mendimit se presidenti amerikan, Donald Trump, është problemi i Evropës apo se strategjia e re amerikane e sigurisë kombëtare është veçanërisht befasuese.
Përkundrazi, ai e sheh zgjedhjen e Trumpit si një thirrje zgjimi; një goditje të nevojshme për ta nxjerrë Evropën nga inercia që e mban peng. Për një kohë shumë të gjatë, thotë Rama, BE-ja ka qenë e shkëputur nga realiteti dhe e penguar nga burokracia e vet.
“Urtësia e botës ka ecur shumë përpara pa ne dhe papritur po kuptojmë se kemi mbetur pas,” thotë ai. “Në këtë kohë sfidash të mëdha, na mungon forca politike; mbetemi në sipërfaqe, kur thellësia është ajo që momenti kërkon.”
Burokracia e rëndë e bllokut, sipas Ramës, është një pengesë kyçe. “Vetë Evropa është jashtë ekuilibri: burokracia e saj peshon më shumë se politika dhe grindjet e brendshme duken më të mëdha se horizonti i përbashkët.”
Nëse kontinenti do të bëhet më i fortë, duhet “më shumë Evropë, jo më pak Evropë”, dhe më shumë reflektim mbi politikat dhe veprimet që mund ta kenë penguar.
“Bëhet fjalë për mendim strategjik dhe politika të drejta dhe për atë se ku duam të jetë Evropa pas 10 apo më shumë vitesh,” thotë Rama. “Evropa duhet të ndryshojë dhe duhet të ndryshojë shpejt. Të gjithë e thonë, të gjithë janë të vetëdijshëm për këtë, dhe megjithatë të tjerët po ecin me një shpejtësi shumë më të madhe.”

Advertisement