Kosova
NZZ: Serbia nuk është Jugosllavi dhe Vuçiç nuk është Tito – loja po mbaron
Politika e kahershme e Serbisë për të balancuar midis Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës po përballet me një krizë serioze si pasojë e luftës në Ukrainë, sanksioneve ndërkombëtare dhe presioneve në rritje për energjinë.
Ky është vlerësimi i mediave gjermane dhe zvicerane, të cilat theksojnë se Beogradi po detyrohet gjithnjë e më shumë të bëjë zgjedhje të qarta gjeopolitike.
Gazeta zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ) shkruan se pasi Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, Serbia zhvilloi të ashtuquajturën “Doktrina e Katër Shtyllave”, duke kërkuar të mbajë marrëdhënie të favorshme njëkohësisht me BE-në, SHBA-në, Rusinë dhe Kinën.
Sipas autorit Andreas Ernst, kjo strategji i dha Beogradit hapësirë të konsiderueshme manovrimi për gati dy dekada.
Gazeta vëren se pritshmerite e Vuçiçit për një kapitull të ri në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara pas kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë nuk u realizuan.
Në të njëjtën kohë, marrëdhëniet me Rusinë janë tensionuar. Edhe pse Serbia nuk iu bashkua sanksioneve kundër Moskës, ajo e ka furnizuar Ukrainën me municione nëpërmjet vendeve të treta, gjë që e ka zemëruar thellë Kremlinin. Moska, sipas gazetës zvicerane, tani po përdor varësinë e Serbisë nga gazi rus si një levë presioni duke vonuar vazhdimisht nënshkrimin e një kontrate të re furnizimi.
Persa i përket Bashkimit Evropian, NZZ shkruan se procesi i pranimit të Serbisë ka ngecur për vite me radhë dhe praktikisht ka qenë i ngrirë që nga viti 2021 për shkak të përkeqësimit të sundimit të ligjit dhe lirisë së medias. Politika balancuese, e cila dikur i shërbente edhe një audience vendase duke e portretizuar Vuçiçin si një udhëheqës me qasje në të gjitha fuqitë e mëdha, tani po e humbet efektin e saj.
“Serbia nuk është Jugosllavi dhe Vuçiç nuk është Tito”, thekson NZZ, duke shtuar se vendi është shumë i vogël për të luajtur rolin e një fuqie të mesme në mes një konfrontimi gjithnjë e më të ashpër midis Rusisë dhe Perëndimit.