Politike
Paloka: SHBA e ka të qartë lidhjen e Ramës me krimin, presioni ndërkombëtar po e izolon qeverinë
Presioni ndërkombëtar, veçanërisht nga SHBA, ndaj qeverisë Rama po rritet për shkak të shqetësimeve mbi lidhjet me krimin e organizuar dhe korrupsionin, duke e vendosur atë në një pozicion gjithnjë e më të vështirë.
Deputeti i PD-së, Edi Paloka, theksoi se qeveria Rama ndodhet nën një presion të fortë ndërkombëtar, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të lidhjeve të saj me krimin e organizuar dhe narkotrafikun.
Sipas Palokës, sinjalet e ardhura së fundmi nga përfaqësues të lartë amerikanë janë një mesazh i qartë se Perëndimi tashmë e ka kuptuar dhe po e pranon hapur realitetin e kapjes së shtetit nga krimi, ndërsa përpjekjet e kryeministrit Rama për ta fshehur këtë të vërtetë me manovra politike dhe propagandë kanë dështuar.
Ai nënvizoi se izolimi ndërkombëtar i qeverisë po thellohet dhe se mbrojtja e zyrtarëve të implikuar në afera korruptive është kthyer në pengesën kryesore për drejtësinë dhe për të ardhmen e vendit.
Pjesë nga deklarata:
Skandalet e fundit, skandalet e radhës për fat të keq, që vazhdojnë prej më shumë se 12 vitesh në Shqipëri, janë skandale që zënë njëri-tjetrin dhe tashmë lidhjet mes krimit, qeverisë dhe Ramës janë evidente, jo vetëm për shqiptarët. Sot mendoj se është e qartë për këtë lidhje kriminale edhe ajo pjesë e Perëndimit që ka interesa direkte në Shqipëri.
Mjafton të kujtoj, për shembull, deklaratën që ka bërë përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara, e cila vetëm emrin nuk ia ka përmendur kryeministrit Rama. Ajo tha qartazi, në një takim pas një trajnimi që FBI ka zhvilluar me BKH-në dhe forca të tjera të drejtësisë dhe rendit në Shqipëri, se sipas porosisë së presidentit Trump, siguria e Shteteve të Bashkuara është e lidhur drejtpërdrejt me narkotrafikun, i cili është rreziku kryesor jo vetëm për vendet ku zhvillohet, por edhe për vetë Shtetet e Bashkuara. Madje shtoi edhe emigrimin masiv. Bravo, bravo. Pra, thashë, tashmë pozicioni i Shteteve të Bashkuara ndaj kësaj qeverie është i qartë dhe po bëhet përditë e më i qartë, pavarësisht akrobacirave dhe përpjekjeve të vazhdueshme që ka bërë dhe vazhdon të bëjë Rama për të ndryshuar një realitet që duket se nuk ndryshon më.
Kujtoj këtu edhe palaçollëkun që bëri duke i vënë Ballukun në krah përfaqësueses së Shteteve të Bashkuara dhe duke fshirë nga videoja që vetë e shpërndau pamjet kur kësaj, pra zëvendëses së Ramës, jo vetëm që nuk iu dha dora nga përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara, por përfaqësuesja e Britanisë së Madhe i ktheu në mënyrë demonstrative kurrizin. Kjo nuk u shfaq në kamera, sepse e fshinë nga videoja që Rama vetë shpërndau.
Pra, edhe njëherë, çfarë dua të them? Sot nuk janë të qartë vetëm shqiptarët për lidhjet kriminale të kësaj qeverie, por edhe ajo pjesë e Perëndimit që është e interesuar drejtpërdrejt për Shqipërinë dhe për të ardhmen e këtij vendi. Dhe sigurisht, ndër këta, aleati ynë kryesor, Shtetet e Bashkuara, janë nga më të rëndësishmit.
Kemi edhe një luftë të hapur dhe të fshehtë të Ramës ndërkohë. Duke u kthyer edhe njëherë te ai takim që sapo përmenda, mos harrojmë kërcënimin e trashë të Ramës, kur thotë: “Po nuk më pranuat ju, unë i kam gati kinezët”. Kjo është pjesë e kësaj strategjie, por është një strategji në rrënim e sipër.
Ju kujtoj se edhe Maduro, pikërisht ditën që e arrestuan, takimin e fundit e kishte me kinezët. Edhe ai qartazi, jo vetëm si impresion, por edhe në bashkëpunim me Kinën. Sot duhet të kujtojmë edhe një gjë tjetër: mbase edhe më shumë se sa Rusia, problemet e Shteteve të Bashkuara janë pikërisht me Kinën. Dhe nuk po i hyjmë më gjatë kësaj teme.
Pra, edhe njëherë, kemi një pozicionim të qartë të botës demokratike ndaj kësaj qeverie, kemi një qartësim të pozicionit të kësaj qeverie në lidhjet e saj kriminale, jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij, me narkotrafikun, me krimin e organizuar, me Sinaloan e me radhë. Një pozicion aspak komod për Ramën.
Ndërkohë, i shihni reagimet e tij, jo vetëm ndaj partnerëve ndërkombëtarë, por edhe brenda vendit. Ka bllokuar tërësisht gjithçka, ndryshe nga çfarë deklaronte dhe çfarë mburrej deri dje, se drejtësia ishte e pavarur, se ata e mbështesnin drejtësinë dhe se pa ta drejtësia nuk do të ecte. Këto ishin deklaratat e dikurshme, veçanërisht në kohën kur iu hoq imuniteti Sali Berishës, kur thuhej se nuk do të pengohej në asnjë rast drejtësia, sa herë ajo do të kërkonte të merrte nën hetim apo si të pandehur ndonjë deputet.
Sot kemi një ndryshim total të pozicionit të Ramës. Të tjerët, është e vërtetë, i ka shitur lehtë. Por në rastin e Ballukut ka dalë në një pozicion krejt tjetër. Pse? Është shumë e thjeshtë. Është vërtetuar, edhe nga ato që ka thënë sot zoti Berisha, por edhe nga shumë fakte të tjera, përgjime dhe dosje që sot janë në duart e drejtësisë, se rasti Balluku është rasti Rama. Në momentin që Balluku shkon pas hekurave, bashkë me të duhet të shkojë edhe Rama.
Amerikanët, besoj, janë shumë të qartë si në qëndrimet e presidentit Trump, ashtu edhe të sekretarit të shtetit, që u përsëritën sot edhe nga përfaqësuesja e tyre në ambasadë. Qëndrimi i tyre është i qartë dhe po ashtu edhe ajo çfarë duan të bëjnë.
Rama, që nga dita e parë, është përpjekur me të gjitha format që njeh: me para, me lobime, me tentativa korruptimi, për të krijuar një lidhje me këtë administratë. Nuk ia ka dalë. Ju kujtoj edhe ishullin e Sazanit dhe forma të tjera. Ky është gati të shesë gjithçka. Këtë e dinë tashmë të gjithë shqiptarët. Për karrigen e tij, ai shet Shqipërinë, shqiptarët, shet edhe familjen e tij, jini të sigurt. Por fakti është se ka dështuar.
Deri më tani, dhe jam i bindur edhe më pas, ka dështuar në të gjitha këto tentativa. Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara është i qartë. Tentoi edhe Maduro. Edhe ai bëri të fortin, bëri kërcënime, tha “le të vijë Trump-i këtu”, e të tjera e të tjera. Të nesërmen i ofroi gjithë hapësirat, gjithë mundësitë, naftën dhe gjithçka kishte. Por nuk e pyeti më njeri.
Dhe jini të bindur që Sazani, krahasuar me naftën e Venezuelës, për shembull, ka vlera shumë më të mëdha, po të ishim në këto interesa ku përpiqen t’i kanalizojnë. Ai vazhdon të japë. Po ajo dekorata, ajo medalje që mori në Emirate, për çfarë mendoni se ia dhanë? Çfarë merite ka Rama? A ka çliruar Emiratet? A u ka bërë ndonjë nder? Sigurisht që jo. Ia dhanë për ato që bën: për portin, për 140 milionë eurot që janë nënshkruar.